Një i burgosur gjendet i varur në Burgun e Dubravës

Një person me inicialet F.I është gjetur pa shenja jete në qelinë e tij në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Viktima ka varur vetën me jelekun e tij në grilat prapa derës së dhomës në qelisë.

Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:15, njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një komunikate për media.

“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të burgut, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë dhe si pasojë ai ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur, personi në fjalë ishte i dënuar për veprën penale: Lëndim i rëndë trupor.

Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin.