Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Nis rigjykimi për vrasje në tentativë shkaku i rrethojës së një përmendoreje

Burim dhe Hashim Fazliu thanë në Gjykatën e Prishtinës se nuk e ndjejnë veten fajtor për akuzën që u vihet në barrë.

Ata po akuzohen për vrasjen e Skender Fazliut, e cila është kryer më 31 tetor të vitit 2001.

Rasti është kthyer në rigjykim.

Hashim dhe Burim Fazliu akuzohen se në datën e lartcekur rreth orës 15:00, në fshatin Llaushë e Epërme të Podujevës, për shkak të një konflikti të mëhershëm lidhur me rrethimin e përmendores së vëllezërve Bahri dhe Fahri Fazliu, me dashje, në bashkëveprim, kanë tentuar që t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit Naser dhe Skender Fazliu.

Sipas aktakuzës, Hashim Fazliu ka shtënë me revolen e tipit “TT” disa herë, kurse Burim Fazliu me pushkë automatike në drejtim të të dëmtuarve, me ç’rast edhe i kanë goditur në pjesë të ndryshme të trupit, duke u shkaktuar plagë fizike dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.

Me këtë, sipas Prokurorisë, ata kanë kryer në bashkëveprim veprën penale vrasje në tentativë.

Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesi i të pandehurit, avokati Tahir Rrecaj tha se beson fuqishëm që Gjykata do të marrë gjykim lirues për dy të akuzuarit, “sepse as Prokuroria e as gjatë dy shqyrtimeve të kaluara gjyqësore, nuk është arritur të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar, në rend të parë dashjen si element subjektiv për kryerje të veprës penale për të cilën janë akuzuar”.

“Në asnjërën prej ekspertizave e as në superekspertizë nuk është konstatuar se shkaku i vdekjes së Skender Fazliut ka qenë si pasojë plagët. Në të dy këto ekspertiza është vërtetuar se shkaku i vdekjes ka ndodhë si pasojë e komplikimeve që kanë ndodhë pas një operacioni në stomak e që s’ka pasur të bëjë fare me lëndim”, shtoi avokati.

Më tutje ai theksoi se beson se do të dëshmohet  se Prokuroria dhe trupi gjykues ka vlerësuar krejtësisht gabim deklaratën dhe provat materiale, në veçanti elementin subjektiv, apo dashjen.

“Dashja si element subjektiv nxirret nga rrethanat faktike të vetë ngjarjes. E gjatë këtij shqyrtimi dhe nga vetë deklaratat e dy dëshmitarëve , përfshirë edhe deklaratën e Naser  dhe Lulzim Fazliut, Ragip Shalakut, Ibrahim Shalakut dhe Ramadan Shalës, nga deklaratat e tyre do të vërtetohet se afërsia në mes të akuzuarve dhe të dëmtuarit si dhe të ndjerit, ka qenë aq e vogël sa që sikur këta të kishin në dashjen e tyre vrasjen e tyre, do ta bënin fare lehtë dhe symbyllas. Kishin municion në armët e tyre. I akuzuari Burim Fazliu në automatikun e tij kishte 2 karikatorë me nga 2 fishekë. Ndërsa në vend të ngjarjes janë gjetur 8 gëzhoja, dy predha nën dhe që pa mëdyshje tregon se Burim Fazliu ka shtënë në drejtim toke me qëllim frikësimi”, tha avokati.

Më tutje avokati theksoi se plagët e shkaktuara në këmbën e Naser Fazliut janë pasojë e të shtënave të pakontrolluara të Burim Fazliut.

“Prandaj unë besoj që në këtë gjykim të tretë, trupi gjykues do të vlerësojë drejt dhe të marrë gjykim lirues. Praktika gjyqësore distancën e merr si fakt vendimtar nëse te i akuzuari ka ekzistuar dashja apo jo, nëse në distancë të shkurtë në mes të kryesit të veprës dhe viktimës, kryesi e ka qëlluar viktimën në pjesë vitale të trupit qoftë edhe gërvishtje e lehtë, gjykata e konsideron me dashje, por nëse nga një distancë e tillë janë shkaktuar lëndime në këmbë, vendimi dënues paraqet precedent të rrezikshëm gjyqësor”, tha avokati Tahir Rrecaj.

Në pyetjen e gjyqtares Naime Jashanica lidhur me riadministrimin e provave, Prokuroria duke u bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit propozoi të administrohen edhe një herë të gjitha provat duke përfshirë edhe dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve dhe ekspertëve, propozim ky i cili edhe u aprovua.

Vazhdimi i këtij shqyrtimi gjyqësor do të mbahet më 18 mars.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

https://kallxo.com/shkurt/gjykimi-i-gjate-per-rrethojen-e-permendores/

www.kallxo.com