Foto: KALLXO.com

Nis rigjykimi ndaj ish-gjykatëses Safete Tolaj, djalit të saj dhe policit

Në Gjykatën e Ferizajt ka filluar rigjykimi ndaj ish-gjyqtares Safete Tolaj, e cila po akuzohet nga Prokuroria për veprat penale – keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe marrje apo asgjësim i vulave zyrtare apo i shkresave zyrtare.

Në këtë proces, djali i ish-gjyqtares, Fisnik Tolaj, akuzohet për ushtrim të ndikimit në vazhdim si dhe falsifikim i dokumenteve në vazhdim, ndërsa zyrtari policor Granit Shehaj, akuzohet për ushtrim të ndikimit në ndihmë.

Në seancën e sotme, të udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, të akuzuarve iu dha mundësia të deklarohen lidhur me fajësinë.

Ish-gjyqtarja Safete Tolaj u deklarua e pafajshme, kurse avokati i saj me autorizim, Kujtim Kerveshi, deklaroi se do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturës së tij .

Ndërsa Fisnik Tolaj e pranoi fajësinë për veprat penale përveç njërës pikë të aktakuzës, te vepra penale -ushtrim i ndikimit. Avokati i tij me autorizim, Gëzim Kollqaku, deklaroi se i mbrojturi i tij vullnetarisht e ka pranuar fajësinë.

Gjithashtu, edhe i akuzuari i tretë, Granit Shehaj, u deklarua i pafajshëm. Avokati i tij mbrojtës Flamur Maloku deklaroi se do të vërtetohet se klienti i tij është i pafajshëm.

Trupi gjykues është tërhequr për të vendosur lidhur me pranimin e fajësisë së të akuzuarit Fisnik Tolaj dhe solli vendim që të pranohet pranimi i fajësisë nga i akuzuari pasi që ky pranim është konform ligjit, si dhe për shpalljen e vendimit për të akuzuarin Fisnik Tolaj trupi gjykues vendosi që shpallja ndaj tij të bëhet në fund të gjykimit.

Të dëmtuarit u deklaruan se kërkojnë që t’u kthehen të hollat e marra nga Fisnik e Safete Tolaj, dhe paraqesin kërkesë për pagim të dëmit.

Pasi që i akuzuari Fisnik Tolaj për një numër të konsiderueshëm të veprave penale e pranoi fajësinë, prokurori i rastit Rasim Maloku hoqi dorë nga dëgjimi i të dëmtuarve Agron Kelmendi, Berat Kelmendi, Agim Bajraktari dhe Sali Mehaj në cilësinë e dëshmitarëve pasi që për ngjarjen të cilën ndërlidhen ata i akuzuari veçse e pranoi fajësinë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Fisnik Tolaj gjatë vitit 2016 ka kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejt për përfitim pasuror për vete nga Agron Kelmendi me qëllim të ushtrimit të ndikimit te Safete Tolaj që Berat e Agron Kelmendit t’u zgjidhet sa më shpejt lënda.

Gjithnjë sipas aktakuzës me qëllim të ndikimit në vendimmarrje ka ndikuar që vëllezërve Shaban Hoxha e Bashkim Hoxha t’u zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak të kundërligjshëm, si dhe nga Salih Mehaj kishte kërkuar 700 euro që të ndikojë që disa të pandehurve të mos u shqiptohet paraburgimi.

Si dhe në rastin e Agim Bajraktarit, i cili ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim të mos shkojë në burg, dhe sipas aktakuzës kishte ndikuar në falsifikimin e një certifikate si dhe në përpilimin  e një aktvendimi të falsifikuar me arsyetim parashkrimi.

E akuzuara Safete Tolaj akuzohet se ka caktuar masën e paraburgimit të cilën e ka zëvendësuar kundërligjshëm me masën e  dorëzanisë ndaj  të akuzuarve Shaban Hoxha e Bashkim Hoxha, si dhe në shtëpinë e saj janë gjetur 62 lëndë gjyqësore kundërvajtje, 53 lëndë penale, aktvendime dhe ankesa.

Granit Shehaj akuzohet se si zyrtar policor ka ndihmuar Fisnik Tolajn që të zëvendësohet masa e paraburgimit ndaj vëllezërve Bashkim e Shaban Hoxha.

Seanca e radhës është paraparë të mbahet më 23 tetor, në të cilën do të dëgjohen dëshmitarët Blerina Vishaj, bashkëshortja e Fisnik Tolajt, Gjyle Shala dhe Dardan Haskaj.

Hulumtimet e Drejtësia në Kosovë tregojnë se si gjyqtarja Safete Tolaj dhe djali i saj Fisnik Tolaj kanë kërkuar para nga palët për përshpejtim të lëndëve gjyqësore dhe për vendosje të lëndëve e për ndërrim të masës së sigurisë.

www.kallxo.com