Nis numërimi së prapthi për parashkrimin e lëndës ndaj Sami Lushtakut për “arratisjen nga QKUK”

10 ditë kanë mbetur deri në parashkrimin absolut të lëndës ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, për pikën e akuzës në rastin “arratisja nga QKUK” në vitin 2014.

Parashkrimi absolut në këtë çështje penale vjen pasi më 22 maj bëhen 6 vjet nga koha kur prokuroria thotë se është kryer vepra penale.

Andaj Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Sahit Jashari e të akuzuarit e tjerë përmes parashkrimit pritet ta fitojnë luftën me Prokurorinë e Shtetit në këtë çështje penale.

Gjykata e Prishtinës, më 14 prill, në krye me gjykatësin Shashivar Hoti, mori vendim me të cilin Sami Lushatkun, Ismet Haxhën dhe Sahit Jasharin si dhe të akuzuarit e tjerë i shpalli të pafajshëm për pikën e akuzës “Arratisja nga QKUK-ja”.

KALLXO.com ka raportuar më 17 mars se kjo lëndë do të arrijë parashkrimin më 22 maj pasi do të bëhen 6 vite nga koha kur Prokuroria thotë se është kryer vepra penale.

KALLXO.com ditë më parë ka kontaktuar edhe me avokatin Artan Qerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushatku, i cili tha se ende nuk e kishte pranuar aktgjykimin me shkrim për këtë çështje penale.

Pasoja ligjore e parashkrimit të kësaj pike të akuzës është se edhe nëse Prokuroria bën ankesë për lirimin e të akuzuarve, ankesa e tillë do të refuzohet për shkak të parashkrimit dhe më asnjëherë nuk do të mund të kthehet çështja penale në rigjykim lidhur me këtë pikë të akuzës.

Lidhur me arratisjen e 22 majit 2014 nga QKUK, Prokuroria thotë në aktakuzë  se Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha ndërmjet orëve të mëngjesit të datës 20 maj 2014 dhe orëve të mbrëmjes së datës 22 maj 2014, në objektet e QKUK-së, duke vepruar në bashkëkryerje dhe sipas një plani të pajtuar ndërmjet tyre deri sa kanë qenë në paraburgim ata kanë ikur nga dhomat e spitalit në të cilat kanë qenë në mbajtje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të pretenduar dhe janë fshehur në lokacion të panjohur duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në mbajtje në bazë të një vendimi të ligjshëm që urdhëron privimin e tyre nga liria.

Prokuroria thotë se të akuzuarit Nexhip Shatri dhe tani i ndjeri Sami Gjoka, duke qenë në cilësinë e mjekëve në QKUK, kanë lëshuar raporte të rreme mjekësore në bazë të të cilave kanë kërkuar ekzaminime për të akuzuarin Sami Lushatku për të mundësuar transfere të rregullta në spital ku ai dukshëm ka gëzuar masa më pak kufizuese, ku ka qenë në gjendje t’i shmanget mbikëqyrjes korrektuese e përfundimisht edhe të arratiset.

Prokuroria për këtë arratisje ka ngarkuar me faj oficerët korrektues Bashkim Dervishollin, Valon Behramaj dhe Argjend Behramaj sepse si oficerë korrektues ata dyshohet se nuk kanë mbajtur vigjilencën e duhur dhe të vazhdueshme mbi të paraburgosurit duke u mundësuar atyre të ikin nga mbikëqyrja korrektuese, t’i ikin drejtësisë dhe të gëzojnë lirinë e kundërligjshme.

Kësaj aktakuze nuk i ka shpëtuar as drejtori i Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, Emrush Thaçi, të cilin prokuroria e akuzon se ai duke keqpërdorur detyrën zyrtare nuk  e zbatuar me qëllim detyrat e tij konform ligjit duke u mundësuar të akuzuarve Lushtaku, Haxha dhe Jasharit arratisjen nga QKUK-ja.

Prokuroria thotë se Emrush Thaçi u ka mundësuar arratisjen të akuzaurve me qëllim të ngritjes në detyrë dhe të bëhej Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

E Prokuroria e lidhi arratisjen e të akuzaurve nga QKUK-ja edhe me të akuzuarin Shemsi Hajrizi i cili duke qenë ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm në maj të vitit 2014, publikisht kishte refuzuar ta zbatonte vendimin e gjykatësit të EULEX-it për transferimin e të paraburgosurve nga burgu i Dubravës në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë.

Prokuroria thotë se Hajrizi ka nxitur stafin korrektues vartës të tij që të kundërshtojnë zbatimin e vendimit.

Aktakuza thotë se personat që i kanë ndihmuar Sami Lushtakut të arratiset dhe të fshihet në një vend të panjohur nga data 20 maj deri me 22 maj ishin Mërgim Lushtaku dhe Dardan Geci.