Objekti për të cilin po gjykohet inspektori komunal Enver Bytyqi – Foto: KALLXO.com

Nijazi Kryeziu dëshmitar në gjykimin për ndërtesën 13-katëshe pa leje

Ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ka dëshmuar në gjykimin e ish-inspektorit komunal të Ndërtimtarisë, Enver Bytyqi, dhe të investitorit, Feim Hamiti, të akuzuar për ndërtimin e një objekti 13-katësh, pa leje sipas Prokurorisë, në Prizren.

Dëshmitari Kryeziu tha se në Prizren në kohën sa ka qenë drejtor ishin evidentuar afro 33 mijë objekte pa leje ndërtimi.

“Ka qenë obligim që të evidentohet çdo objekt pa leje, dhe të themelohet regjistri komunal i objekteve pa leje, që e kemi realizuar madje kemi marrë mirënjohje”, ka thënë Nijazi Kryeziu në cilësinë e dëshmitarit para Gjykatës së Prizrenit.

Foto: KALLXO.com

Kryeziu ishte ftuar nga Gjykata si dëshmitar në gjykimin ndaj të akuzuarit Enver Bytyqi, i cili kishte qenë inspektor i Ndërtimtarisë pranë  Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit.

Bytyqi po akuzohet për mosrrënimin e objektit banesor 13-katësh, i ndërtuar pa leje.

Inspektori komunal akuzohet se nuk e pengoi ndërtimin e objektit 13-katësh

I akuzuari sipas aktakuzës vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbaleve duke mos sjellë konkluzione për rrënimin e objektit pa leje, dhe i ka mundësuar përfitim pasuror 13 kate investitorit.

I bashkakuzuari me ish-inspektorin Enver Bytyqi, investitori Feim Hamiti në maj të vitit 2019 është dënuar nga Gjykata për ndërtimin e objektit 13-katësh pa leje.

I njëjti akuzohej për veprën penale të heqjes apo dëmtimit të vulave zyrtare.

Hamiti është shpallur fajtor dhe është dënuar me 6 muaj burgim, por i njëjti i është zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 7 mijë eurove.

Për objektin 13 katësh pa leje investitori gjobitet me 7 mijë euro

Në seancën e datës 7 shkurt, i akuzuari Enver Bytyqi do të paraqesë mbrojtjen e tij para trupit gjykues.

Enver Bytyqi po përballet edhe me aktakuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Vetëm 5 ditë më parë në Gjykatën e Prishtinës Enver Bytyqi ishte deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë për lejimin e ndërtimeve pa leje të qindra objekteve në Prevallë.

Dalin para gjyqit inspektorët e akuzuar se lejuan ndërtime pa leje në Prevallë

Në Prizren aktualisht janë 5 inspektorë të Ndërtimtarisë në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve, që po përballen në total me  9 aktakuza të Prokurorisë së Prizrenit.