Ngrihet aktakuzë ndaj ish-gjykatësit Rafet Ismailit dhe ish-policit Blerim Gashi

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-gjykatësit Rafet Ismaili dhe ish-policit Blerim Gashi për veprën penale – ushtrim i ndikimit.

Sipas aktakuzës, ish-gjykatësi i Gjykatës së Mitrovicës, dega në Skenderaj, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dobi pasurore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F.Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1 mijë e 500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F.Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë dobinë pasurore në shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F.Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.

Prokuroria njofton se me këto veprime secili nga të akuzuarit ka kryer veprën penale – ushtrim i ndikimit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Gjykata vendos masën për gjyqtarin dhe policin e arrestuar

Arrestohet Sali Berisha, gjykatës në Pejë