Nesër pritet të fillojë gjykimi ndaj Albulena Haxhiut dhe deputetëve të tjerë për gazin lotësjellës në Kuvend

Nesër pritet të fillojë gjykimi ndaj ish-deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deputetëve të AAK-së Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj, e ish-deputetes së Vetëvendosjes, Besa Baftiu.

Kjo pasi seancat e datës 10 dhe 30 korrik  kishin dështuar të mbaheshin në mungesë të kushteve ligjore.

Nesër të akuzuarit do të deklarohen lidhur me pranimin e fajësisë për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Aktakuza e Prokurorisë ndaj tyre thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj, në shkurt të vitit 2016 kanë futur bombola të gazit në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë -Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.