Një kuti votimi | Foto: Atdhe Mulla

Nëntë vjet pas, gjykimi për mashtrime në zgjedhje ende pa fund

Ka dështuar të mbahet të hënën një seancë ndaj gjashtë të akuzuarve për mashtrime në votime gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010 për shkak të mungesës së disa prej të akuzuarve.

Në seancën e sotme mungonin të akuzuarit Abdylselami Shkodra, Nazaqete Shala dhe Hashim Thaçi ndërsa e pranishme nuk ishte as prokurorja e rastit.

Sipas mbrojtësit Isa Salihu, klienti i tij Abdylselami Shkodra ishte në një udhëtim zyrtar.

Ndërsa ftesa e të pandehurit Hashim Thaçi i ishte kthyer Gjykatës për arsye se adresa ishte e panjohur, e akuzuara Nazaqete Shala mungonte për arsye familjare.

Të akuzuar për mashtrim në votime janë Abdylselami Shkodra, Lirije Berisha, Jeton Isufi, Nezaqete Shala, Hashim Thaçi dhe Erza Rexhepi.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në vitin 2015, por ajo i ishte kthyer Prokurorisë për ta përmirësuar atë. Sipas Gjykatës që nga viti 2017 janë bërë disa përpjekje për të mbajtur seanca mirëpo ato kishin dështuar vazhdimisht.

Gjashtë të akuzuarit po dyshohen se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 kanë falsifikuar rezultatet e votimit duke shtuar e hequr vota si dhe duke i regjistruar ato në mënyrë jo të saktë.

Në bazë të aktakuzës, Abdylselami Shkodra (AKR) si kryesues i këshillit të këtij vendvotimi dhe Lirije Berisha (AAK), Jeton Isufi (LDD), Nezaqete Shala (PDK), Hashim Thaçi (LDK), Erza Rexhepi (VV) ai anëtarë të këtij këshilli gjatë numërimit kanë hequr një numër votash nga rezultatet e disa kandidateve të këtyre subjekteve politike dhe ua kanë shtuar kandidateve të preferuar të subjekteve të caktuara politike duke i shënuar fillimisht në fletën e punës e pasi ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve i kanë bartë edhe në formularët e përputhjeve të cilat edhe i kanë nënshkruar me çka kanë vërtetuar se ato shifra kinse pasqyrojnë saktësisht aktivitetet në këtë vendvotim.