Nëna e të vrarit në Prizren thotë se të akuzuarit nuk kanë pranuar të pajtohen

Zarife Kurtishaj, nëna e tashmë të ndjerit Mendim Kurtishaj, i cili ishte vrarë më 1 maj 2020 në “Tranzitin e ri” ka dëshmuar sot në cilësinë e dëshmitares.

Për vrasjen e Mendim Kurtishaj nga prokuroria po akuzohen Orhan dhe Murat Ademaj.

Zarife Kurtishaj përpara trupit gjykues deklaroi se gjatë kësaj periudhe për shkak të ngjarjes ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk ka mundur që të japë deklarata deri më tani.

“Kërkoj vetëm drejtësi për djalin tim të cilin ma vranë, dua burgim të përjetshëm për të akuzuarit”, shtoi nëna e të ndjerit.

Tutje, ajo tha se nuk dinte asgjë lidhur me ngjarjen, por ka pasur njohuri se ka ekzistuar një mosmarrëveshje në mes të palëve, djalit të saj Mendimit dhe të akuzuarve.

“Dy-tre herë kemi shkuar në familjen e tyre për të kërkuar falje, mirëpo familja e të akuzuarve nuk kanë pranuar pajtim. Nuk e di arsyen e mosmarrëveshjes, por vetëm e di se ka pasur një përleshje të vogël mes tyre”, deklaroi dëshmitarja.

Gjykimi vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitares Zarife Kurtishaj nga ana e avokatit Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit Orhan Ademaj.

Mirëpo për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të dëshmitares, nënës së të ndjerit, trupi gjykues mori vendim që seanca e sotme të ndërpritet.

Seanca e radhës u caktua për datën 13 tetor 2021.

Sipas aktakuzës të datës 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se me 1 maj 2020, në Prizren, në bashkëkryerje, me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin Mendim Kurtishaj.

Tutje sipas aktakuzës thuhet se pas një mosmarrëveshje të mëhershme, ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj. Në momentin që e vërejnë të ndjerin Mendim Kurtishaj, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit M.H, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe i afrohen motoçikletës, ku vetë dëshmitari deklaron se i ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan Ademaj dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual, i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëviz në drejtim të lagjes “Arbanë” gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit të cilët kanë qenë në veturën e tyre.

Sipas Prokurorisë, kur arrijnë tek “Tranziti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë përreth, ku edhe është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre u janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën pas së cilës i pandehuri Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet të ndjerit Mendim Kurtishaj dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vie auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë link.

Avokatët kërkojnë ndryshimin e aktakuzës në rastin e vrasjes së rëndë, prokuroria e kundërshton