Gjykata Themelore e Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.
Nëna e dy djemve të vrarë: Prokuroria është e korruptuar nuk ka punuar drejtë në këtë çështje
“Unë jam e vetme, mi kanë vra djemtë e me është mbyllur dera e shtëpisë”, ishin fjalët e Shake Berishës, nënë e dy të vrarëve, Arsim e Ramiz Berisha, të vrarë më 22 korrik të vitit 2017.
Për këtë vrasje të dyfishtë, po akuzohet Binak Panxha.
Shake Berisha sot para gjykatës paraqiti akuza si ndaj prokurorit ashtu edhe ndaj trupit gjykues për trajtim e këtij rasti.
Ajo tha se prokurori i çështjes është i korruptuar dhe nuk ka punuar në ndriçimin e rastit të vrasjes së djemve të saj.
“Prokurori i ka liruar kriminelët. Vetëm një e ka akuzuar dhe atë e ka lënë të qëndrojë në arrest shtëpiak për vrasje”, ishin fjalët e Berishës.
Ndërsa tha se gjykata ia ka shkelur asaj të drejtat në procedurë.
“Nuk më kanë ofruar as avokat, nuk më kanë lënë as në sallë, janë sjellë shumë keq me mua”, shtoi ajo.
Sipas Berishës asnjë nga fjalët e saj nuk janë konstatuar në procesverbal.
Në përfundim të fjalës së saj, tha se në vrasje janë të përfshirë më shumë persona, e jo vetëm Binak Panxha.
Ndërsa prokurori i rastit, Agron Galani, vetëm e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare pa e elaboruar atë para trupit gjykues e publikut.
“Gjatë shqyrtimeve në këtë çështje penale përtej dyshimit të bazuar është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha prokurori Galani.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Binak Panxha, avokati Osman Cucoviq, kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet pasi që sipas tha se aktakuza nuk ka prova që argumentojnë fajësinë.
Madje sipas avokatit, aktakuza është e bazuar në prova materiale që është dashur të përjashtohen nga shkresat e lëndës.
“Kërkoj nga gjykata që mos të udhëhiqet nga emocionet por nga parimet e kodit të procedurës penale dhe kërkoj që i mbrojturi im të lirohet në mungesë të provave”, tha Cucoviq.
Shpallja e vendimit për këtë rast behët me datën 16 të këtij muaji.
Prokuroria e Pejës e akuzon Binak Panxhën, se shkaku i prerjes së pyllit, me dashje i ka privuar nga jeta dy vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berishën.
Në aktakuzë thuhet se dy viktimat së bashku me shokun e tyre Jetlir Gashin ishin nisur me kuaj në pyll për të prerë dru.
Pasi i parkojnë qerret buzë rrugës dhe futen në pyll (pronë e të pandehurit) për të prerë dru, pas disa çastesh viktima Arsim dëgjohet duke thirrur: ‘kush hamami jeni ju?’ dhe në atë moment i pandehuri Binak Panxha nga arma automatike shkrep 3 herë e më pas shkrep rafal 11 herë, duke i privuar kështu nga jeta tani dy të ndjerët.