Prishtinë, nëna me dy vajzat dënohen për pjesëmarrje në ISIS

Shyhrete Tafajdhe dy vajzat e saj, Valdete dhe Mekë Tafaj, janë dënuar me nga 2 vjet burgim me kusht pasi u gjetën fajtore për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist.

Gjyqtarja Albina Shabani- Rama deklaroi se dënimi me burg ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej tre vjetësh ato nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Në të kundërtën, sipas saj, dënimi me kusht do t’u zëvendësohet me burg efektiv, ndërsa do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Po ashtu, të akuzuarat janë urdhëruar nga gjykata që të përmbushin detyrimin për vizitë te psikologu apo tek këshilluesi dhe të veprojnë në pajtim me rekomandimet e tyre në kohëzgjatje prej dy vjetësh nën mbikëqyrjen e Shërbimit Sprovues të Kosovës.

Më tutje  gjykatësja Shabani – Rama shtoi se “me rastin e shqiptimit të dënimin gjykata ka vepruar sipas dispozitave për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, pasi që ka marrë si rrethanë posaçërisht lehtësuese pranimin e fajësisë, sjelljen e tyre para dhe pas kryerjes së veprës penale dhe pendimin e tyre”.

Të akuzuarat gjatë seancës së shqyrtimit fillestar më 15.1.2020, kishin pranuar fajësinë.

Aktakuza shpjegon se të akuzuarat me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste.

Sipas aktakuzës, ato kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtarinë e saj si dhe qëllimin që duke luftuar, padrejtësisht të detyrojnë qeverinë siriane, e pastaj edhe qeveritë e shteteve të tjera, që të lënë pushtetin dhe seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturën kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe të krijojnë Shtetin Islamik në Iraku dhe Siri.

Aktakuza shpjegon se pasi bashkëshorti i të akuzuarës Mekë Tafaj, i akuzuari Ramiz Kastrati, ka qenë në Siri për disa muaj dhe është kthyer për një kohë të shkurtër ndërsa e gjithë familja ka vendosur që t’i bashkëngjitet luftës për Shtetin Islamik, edhe pse e kanë ditur se veprimi i tillë është kundërligjor.

Aktakuza përshkruan rrugëtimin e të akuzuarës Valdete Tafaj me bashkëshortin e saj, Kujtim Daçaj, dhe vajzën e vogël, më 5 tetor 2014, për në Siri.

Sipas dosjes së Prokurorisë, e akuzuara Mekë Tafaj me bashkëshortin e saj Ramiz Kastratin më 4 nëntor 2014 në mënyrë të njëjtë kanë udhëtuar në Siri.

Më tutje në aktakuzë thuhet se Shyhrete Tafaj, nëna e të akuzuarave të cekura më lartë, më 21 shtator 2015, së bashku me dy djemtë, Naimin dhe Rexhën, përmes Aeroportit të Prishtinës ka shkuar për në Turqi dhe pastaj nga Turqia në Siri, ku secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik iu kanë ofruar shërbime logjistike anëtarëve të gjinisë mashkullore të familjes të cilët aktivisht kanë luftuar.

Të akuzuarat, sipas aktakuzës, kanë ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit nën kontrollin e ISIS-it dhe pasi kjo organizatë pësoi disfatë, ato u detyruan të dorëzohen te forcat kurde, e më pas, me ndihmën e ushtrisë amerikane u deportuan në Kosovë më 24 maj 2019.

Prokuroria secilën veç e veç po i akuzon për organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist.

Nëna dhe dy vajzat e pranojnë fajësinë për pjesëmarrje në ISIS