Foto: KALLXO.com

Nëna dhe dy vajzat e pranojnë fajësinë për pjesëmarrje në ISIS

Tri kosovare, të akuzuara se iu bashkuan organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS), janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Shyhrete Tafaj dhe dy vajzat e saj, Valdete dhe Mekë Tafaj, e kanë pranuar veprën penale që u vihet në barrë.

Fajësinë ato e pranuar pasi prokurorja e çështjes, Merita Bina-Rugova, e lexoi aktakuzën.

Në deklarimin e saj para Gjykatës, e akuzuara Shyhrete Tafaj tha se pajtohet se ka shkuar në Siri, porse ka shkuar pas fëmijëve.

Ndërsa për djalin të cilin e kishte marrë me vete ajo tha se nuk kishte pasur kujt t’ia linte, prandaj ishte detyruar ta merrte patjetër me vete.

Ajo shtoi se pa dashje kishte shkuar në Siri dhe se këtë rrugë e kishte marrë për shkak se të gjithë fëmijët e saj kishin shkuar atje.

Gjyqtarja Albina Shabani-Rama njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 17 janar.

Aktakuza shpjegon se të akuzuarat me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste.

Sipas aktakuzës, ato kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtarinë e saj si dhe qëllimin që duke luftuar, padrejtësisht të detyrojë qeverinë siriane, e pastaj edhe qeveritë e shteteve të tjera, që të lënë pushtetin dhe seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturën kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe të krijojnë Shtetin Islamik në Iraku dhe Levant.

Aktakuza shpjegon se pasi bashkëshorti i të akuzuarës Mekë Tafaj, i akuzuari Ramiz Kastrati, ka qenë në Siri për disa muaj dhe është kthyer për një kohë të shkurtë, e gjithë familja ka vendosur që t’i bashkëngjitet luftës për Shtetin Islamik, edhe pse e kanë ditur se veprimi i tillë është kundërligjor.

Aktakuza përshkruan rrugëtimin e të akuzuarës Valdete Tafaj me bashkëshortin e saj, Kujtim Daçaj, dhe vajzën e vogël, më 5 tetor 2014, për në Siri.

Sipas dosjes së Prokurorisë, e akuzuara Mekë Tafaj me bashkëshortin e saj Ramiz Kastratin më 4 nëntor 2014 në mënyrë të njëjtë kanë udhëtuar në Siri.

Më tutje në aktakuzë thuhet se Shyhrete Tafaj, nëna e të akuzuarave të cekura më lartë, më 21 shtator 2015, së bashku me dy djemtë, Naimin dhe Rexhën, përmes Aeroportit të Prishtinës ka shkuar për në Turqi dhe pastaj nga Turqia në Siri, ku secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik iu kanë ofruar shërbime logjistike anëtarëve të gjinisë mashkullore të familjes të cilët aktivisht kanë luftuar.

Të akuzuarat, sipas aktakuzës, kanë ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit nën kontrollin e ISIS-it dhe pasi kjo organizatë pësoi disfatë, ato u detyruan të dorëzohen te forcat kurde, e më pas, me ndihmën e ushtrisë amerikane u deportuan në Kosovë më 24 maj 2019.

Prokuroria secilën veç e veç po i akuzon për organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist.