
Nën masa të rrepta të sigurisë sillen në Gjykatë Bedri Krasniqi dhe Alban Dizdari
Bedri Krasniqi dhe Alban Dizdari, të akuzuar për vrasjen e një polici të Kosovës dhe një të UNMIK-ut, dhe për plagosjen e dy personave të tjerë, në afërsi të fshatit Shakovicë, janë sjellë në Gjykatë nën masa të rrepta të sigurisë.
Në seancën e sotme dëshmitari Sh.M. ka dhënë versionin e tij në lidhje me ngjarjen tragjike, e cila kishte ndodhur në mars të vitit 2004.
Dëshmitari deklaroi që mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në vitin 2019 dhe i njëjti shtoi që nuk dëshiron të merret më me këtë rast pasi që, sipas tij, emri i ishte përmendur pa kurrfarë lidhje.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues se përse atij i kishte kishte telefonuar Shkumbin Mehmeti, dëshmitari tha se telefonata ishte bërë “vetëm për të folur, për me bisedu dhe për me m’pa”.
Në pyetjen tjetër nëse kishte diçka me vete Shkumbin Mehmeti atë natë, dëshmitari tha se në çantë kishte një top-armë.
Në fund Sh.M. tha se për vrasjen ishte informuar përmes mediave.
Në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet më 14 tetor, do të lexohen deklaratat e disa dëshmitarëve ndërsa pjesa tjetër e dëshmitarëve pritet të dëgjohen.
Të akuzuar të tjerë për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga Gjykata Supreme në shtator 2017, të njëjtit ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.
Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim më 9 nëntor 2007.
Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.
Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, P.E., dhe zyrtarin policor të Kosovës, A. R., të cilët kishin qenë në detyrë.
Zyrtari i Policisë së Kosovës B. M. dhe përkthyesi i UNMIK-ut R. Z., kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.
Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.