Seanca ndaj Salih Mustafës - 14.12.2020
Në shkurt 2021, prokurori i Speciales pritet ta dorëzojë dosjen ndaj Salih Mustafës
Sali Mustafa, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK, ka dalë sërish sot para gjykatës Speciale në Hagë.
Prokurori i çështjes, Cezar Mihalchuk, lidhur me të akuzuarin Salih Mustafa tha se, do të dorëzojnë dosjen paragjyqësore me 15 shkurt.
“Me 15 shkurt pritet të dorëzojmë, dosjen paragjyqësore dhe materialet e tjera”, tha prokurori.
Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020.
Ndaj Salih Mustafës , `Komandant Calit`, është konfirmuar aktakuza e Prokurorisë së Specializuar për krime lufte.
Sipas aktakuzës, Mustafa do të përballet në gjyqin e Hagës për vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar të civilëve gjatë kohës së luftës në Kosovës.
Aktakuza thotë se Salih Mustafa, ish-Komandant Cali, ishte epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, të cilët vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.
Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim i sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.
Aktakuza e ngarkon Mustafën se mes 1 dhe 19 prillit 1999-të së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Sipas aktakuzës personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me roje, në një stallë të kyçur dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.
Aktakuza thotë se i akuzuari Salih Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, kishin kryer trajtim mizor sepse 6 të ndaluarve nuk u kishin dhënë mjaftueshëm ushqim, ujë dhe nuk u kishin siguruar kushte higjienike dhe sanitare, fjetje, strehim dhe të kujdesit shëndetësor.
Pika e akuzës që ngarkon Mustafën me torturë thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së u shkaktuan viktimave të ndaluara, vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim marrjen e informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar ose shtrënguar viktimat ose duke i diskriminuar viktimat, ndër të tjera për arsye politike.
Aktakuza e ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.
Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellur personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur dhe shënjestruar më shumë se personat e tjerë.
Sipas aktakuzës, gjatë kohës së ndalimit të personit të vrarë, familjarët e tij vazhdimisht kishin kërkuar informata rreth tij, por nuk u ishin dhënë informata të plota, ose u ishin dhënë informata të rreme.