Në rigjykimin e katërt me radhë, i akuzuari për terrorizëm dënohet me 3 vite burg

Leonis Frangu, të cilin Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkonte për pjesëmarrje dhe organizim në grupe terroriste në Siri u dënua sot nga Gjykata e Prishtinës me 3 vite burgim.

Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, pas marrëveshjes paraprake me Blerim Sylën më 3 nëntor të vitit 2014 përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë fluturuar në Aeroportin e Stambollit në Turqi ku nga Stambolli janë shkuar së pari në Hatay dhe nga atje në qytetin po ashtu të Turqisë afër me kufirin me Sirinë ku i janë bashkangjitur organizatës terroriste ISIS.

Leonis Frangu ishte liruar tri herë nga akuzat e ngritura për terrorizëm.

Gjykata e Prishtinës në shkurt të vitit 2016 kishte liruar Frangun nga akuza për veprën penale bashkim dhe pjesëmarrje në terrorizëm. Kurse Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim për shkak të mos vërtetimit të plotë të gjendjes faktike.

Pas kthimit në rigjykim, gjykata e shkallës së parë përsëri në janar të vitit 2019 e kishte liruar Leonis Frangun nga akuza.

Pas lirimit për herë të dytë, Prokuroria Speciale përsëri kishte shtruar ankesë kundër vendimit të shkallës së parë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale.

Pasi ishte kthyer në rigjykim për herë të dytë, Gjykata e Prishtinës përsëri për herën e tretë e kishte liruar nga akuza Frangun në mungesë të provave.

Pas aprovimit të ankesës të Prokurorisë Speciale nga Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2020, lënda ishte kthyer përsëri në rigjykim.

Sërish edhe në këtë shqyrtim gjyqësor i akuzuari Frangu u deklarua i pafajshëm.

Lidhur me dokumentacionin e siguruar të Prokurorisë Speciale të Kosovës nga Byroja Federale Hetimore (FBI) në SHBA, avokati i të akuzuarit Frangu, Armend Shkoza tha se ky dokument ka qenë i siguruar në vitin 2016.

“Përplot 6 vite me vonesë prokuroria e paraqet këtë dokument dhe atë në ankesën e tretë që e ka ushtruar ndaj vendimit lirues për të mbrojturin tim dhe konsideroj se në këtë mënyrë se si është siguruar ky dokument ka qenë duke i tejkaluar të gjitha afatet hetimore sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një provë të re për të cilën prokuroria nuk ka mundur të jetë në dijeni ose prova ka qenë inekzistente kur procedura penale ka filluar”, shtoi avokati Shkoza.

Prokuroria Speciale ka propozuar që edhe në këtë shqyrtim gjyqësor të dëgjohen dëshmitari “A2” dhe dëshmitari Blerim Syla.

Palët në procedurë janë pajtuar se të lexohet deklarata e dëshmitarit “A2”, ndërsa për dëshmitarin Blerim Syla avokati Shkoza ka propozuar që të dëgjohet në seancë për shkak të mos mundësisë së mëparshme të mbrojtjes në ballafaqim me dëshmitarin.

Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli, konstatoi se Blerim Syla nuk gjendet brenda Republikës së Kosovës dhe për të cilin është lëshuar urdhër arresti për shkak të çështjes konkrete.

Prokurori Special Atdhe Dema për dëshmitarin Syla thotë se deklarata e tij e dhënë në Policinë e Kosovës në korrik të vitit 2015 tregon qartë qëndrimin dhe veprimet e tij.

Prokurori Dema propozoi se gjykata ta merr atë deklaratë si provë pasi që saktësia dhe mënyra e marrjes së deklaratës ka qenë në mënyrë të drejtë dhe ligjore.

Prokurori shtoi se dëshmitari Syla në asnjë fazë që nga ngritja e aktakuzës, i njëjti nuk është dëgjuar asnjëherë.

Avokati Shkoza propozoi se deklarata e dëshmitarit Syla e dhënë në Polici të veçohet nga shkresat e tjera të lëndës.

Prokurori Special Dema deklaroi se sa i përket dokumentit është e qartë se flasim për një dokument origjinal.

“Dokument i cili është siguruar nga ana e SHBA-së, Byroja Federale e Hetimeve, e cila Prokurorisë i ka ardhur pas disa kërkesave që i kërkon legjislacioni i tyre. Dokumentin e kemi pranuar në vitin 2020 dhe pretendimi se ky dokument është lëshuar në vitin 2016 apo analiza e tij apo marrja në posedim, fare nuk luan rol dhe nuk qon peshë kur flasim për autencitetin e së njëjtës”, shtoi prokurori Dema.

Trupi gjykues mori vendim lidhur me propozimin e prokurorit special se dokumentacioni i siguruar nga FBI në SHBA aprovohet të shërbejë si provë materiale me arsyetim se Prokuroria lidhur me këtë provë e ka mësuar gjatë shqyrtimit dhe në momentin e sigurimit të saj e ka dorëzuar tek gjykata.

Po ashtu, trupi gjykues merr vendim edhe lidhur me deklaratën e dëshmitarit Syla të dhënë në Stacionin Policor në vitin 2015, e cila u pranua si provë materiale.

Tutje, avokati Shkoza deklaroi se i akuzuari Leonis Frangu nuk do të deklarohet, pra i cili do të mbrohet në heshtje.

Pas saj, trupi gjykues shpalli të përfunduar procedurën e provave.

Prokurori Dema në fjalën përfundimtare thotë se të gjitha këto prova vërtetojnë në mënyrë të plotë se i akuzuari Frangu ka kryer veprën penale si në aktakuzë, si dhe është vërtetuar në tërësi vendi, koha dhe mënyra e kryerjes së kësaj vepre.

Sipas prokurorit Dema i akuzuari veprën penale e ka kryer nisur nga fakti se gjithçka ka qenë e planifikuar.

Gjithashtu, prokurori Dema shtoi se gjatë tërë kësaj kohe edhe pas ngritjes së aktakuzës kanë tentuar që të gjejnë elemente të cilat do të shkonin në favorin e të akuzuarit.

“Në çdo shqyrtim të zhvilluar rishtazi kjo përshtypje jo që nuk është krijuar por është forcuar dyshimi i prokurorisë se i njëjti ka kryer veprën penale. Nuk kemi gjetur asnjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin Frangu”, shtoi prokurori special.

Avokati Shkoza në fjalën përfundimtare tha për dëshmitarin anonim “A2” se kur ai është ballafaquar me fotografi për të identifikuar të dyshuarin, ai kishte identifikuar në mënyrë të çuditshme tani të akuzuarin Frangu, mirëpo gjatë marrjes në pyetje të të njëjtit për të cilin është pyetur se a e njeh Leonis Frangun, i njëjti e ka mohuar.

Ndërsa sa i përket dokumentacionit të FBI, avokati Shkoza theksoi se mbrojtja në asnjë mënyrë nuk e konteston mënyrën e komunikimit në mes autoriteteve të shtetit Amerikan dhe të shtetit të Kosovës.

Ai tha se duke u bazuar në bazë të dispozitave pas ngritjes se aktakuzës kërkesë për ndihmë juridike mund të bëhet nga gjykata dhe jo nga prokuroria.

Avokati Shkoza shtoi se sjellja e të akuzuarit Frangu gjatë kësaj kohë 8 vjeçare që nga ngritja e aktakuzës ka qenë shembullore.

“Unë jam po ashtu i skandalizuar që organi ndjekës prokuroria nuk ka gjetur mund që të përmend asnjë rrethanë lehtësuese e cila do t`i shërbente kësaj gjykate”, shtoi ai.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK