Në prill pritet të vazhdojë gjykimi për rrënimin e aneks-objektit në kompleksin “Abi Çarshia”
Ish-kryeinspektori i Prizrenit, Islam Thaçi, bashkë me pesë zyrtarë të tjerë të kësaj Komune, dy inspektoreve të ndërtimtarisë, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina – Thaçi, dy zyrtarëve të Drejtorisë së Inspektoriatit Arian Taraku dhe Isë Bislimaj si dhe Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, të ngarkuar me akuza që ndërlidhen me rrënimin e aneksit të ndërtuar pa leje të objektit të kompleksit “Abi Çarshia”, kanë dalë sot para Gjykatës nën udhëheqjen e trupit gjykues me kryetare Kymete Kicaj e anëtarë Refki Piraj dhe Raima Elezi.
Në cilësi të dëshmitarit ka dëshmuar Irfan Fusha – përfaqësues i palës së dëmtuar apo njëri ndër bashkëpronarët e kompleksit “Abi Çarshia”, në Prizren.
Fusha ka treguar se punimet ku është tejkaluar leja ndërtimore në pjesën e aneks objektit “Abi Çarshia” ishin ndërprerë, ndërsa për inspektimet e bëra ai ka deklaruar se nuk i kujtohej.
Ai tregoi se punimet kanë qenë të përfunduara kur është bërë procesverbali për ndërprerjen e punimeve në atë pjesë ku ishte bërë tejkalimi i lejes ndërtimore, procesverbal ky në të cilën nuk kishte qenë prezent personalisht dëshmitari.
Irfan Fusha, ka treguar gjithashtu se edhe në pjesën kur është bërë tejkalimi i lejes ndërtimore, tanimë është legalizuar edhe ajo pjesë, pasi që kushtet për legalizimin e saj kanë qenë të njëjta sikurse më parë.
Ai gjithashtu ka treguar edhe datën e aplikimit për legalizimin e kësaj pjesë, 18 korrik 2019, ndërsa e njëjta është legalizuar me datën 2 tetor 2020.
Seanca e radhës së këtij rasti u caktua të mbahet më datë 29 prill.
KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë ngjarje.
Të gjithë të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm.
Në aktakuzën e saj, Prokuroria të akuzuarit Arian Taraku dhe Isë Bislimaj i ka cilësuar si zyrtarë – teknikë në Drejtorinë e Inspektorateve, mirëpo që të dy para Gjykatës thanë se janë të papunë.
Edhe i akuzuari Shqipëron Krasniqi, për të cilin në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se është përfaqësues ligjor i Komunës, në Gjykatë kishte thënë se është i papunë.
Prokuroria në aktakuzën e saj thotë se dëmi që i është shkaktuar Irfan Fushës arrin shumën prej 69,729.66 euro.
KALLXO.com në korrik të vitit 2019 pati publikuar hulumtimin për zhvillimet rreth qendrës tregtare “Abi Çarshia”, duke filluar nga privatizimi i tokës në vitin 2011, deri te marrja e lejes për ndërtim në vitin 2017, dhe rrënimi i aneks-objektit pa leje me 19 korrik 2019.
Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari Irfan Fusha ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, prandaj “të akuzuarit veprojnë në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ dhe Ligjin mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative”.
“Andaj të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç’rast gjatë rrënimit ‘ABI SH.P.K’ në Prizren i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Prokuroria në aktakuzë si të dëmtuar në këtë proces e ka cilësuar pronarin e “Abi Çarshia”, Irfan Fushën, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.
Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik 2019 ka rrënuar aneksin e objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia“.
Gjashtë ditë më vonë, Prokuroria e Prizrenit kishte filluar hetimin ndaj zyrtarëve të Komunës, ndërsa po të njëjtën ditë Gjykata në Prizren kishte vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje, duke i obliguar palët të mos ndërmarrin asnjë veprim tjetër.