Spitali i Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Në prill pritet të dalin para gjykatës zyrtarët e Spitalit “Isa Grezda”

Me 8 prill, pritet të mbahet seanca nën akuza të korrupsionit kundër tre personave, Skënder Ndrecajt  drejtorit të Infermierisë në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, Leonora Ymeraga juriste në këtë spital dhe ish-infermieres Fatmire Sahiti.

Ata do të deklarohen rreth akuzës së Prokurorisë, para gjykatësit Drilon Haraçia, akuzë kjo e ngritur më datë 16 tetor 2020, nga prokurori Ramiz Buzhala, pasi prokuroria pretendon se të njëjtit kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës Skënder Ndrecaj, në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Infermierisë në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë dhe Leonora Ymeraga, si juriste në zyrën e personelit në po këtë spital, dyshohet se nga muaji maj deri në muajin nëntor të vitit 2019, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare edhe pse përmes parashtresës nga infermieri Liridon Marku, janë njoftuar se Fatmire Sahiti e punësuar si infermiere instrumentare në traktin operativ me dhomë zgjimi, nuk paraqitej në vendin e punës nga data 02.05.2019, të njëjtit nuk kanë ndërmarrë veprime për të njoftuar menaxhmentin e spitalit për vazhdimin e procedurave ligjore për shkëputjen e kontratës së punës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Fatmire Sahitit i është mundësuar marrja e pagës edhe pse në periudhën kohore nga muaji maj e deri në muajin nëntor të vitit 2019, nuk është paraqitur në punë, me çka buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej 2,716.02 euro.

Në aktakuzë thuhet se Fatmire Sahiti në cilësinë e infermieres në spitalin e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare duke tejkaluar kompetencat e saj, sepse paraprakisht nuk ka njoftuar me shkrim menaxhmentin për shkëputjen e marrëdhënies së punës dhe e njëjta gjatë periudhës maj-nëntor 2019 ka marrë pagë mujore duke mos qenë në vendin e punës.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, Skënder Ndrecaj, nuk e ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohet, duke thënë që pasi e ka pranuar shkresën nga kryeinfermieri për mos-daljen në punë të infermieres, të njëjtën shkresë e ka prezantuar në Këshillin Drejtues për marrjen e aprovimit nga drejtori ekzekutiv, për ndërprerjen e punës së të njëjtës.

Ndërsa, Fatmire Sahiti, duke mos pranuar veprën penale në deklaratën e saj në Prokurori, ka thënë që verbalisht kishte kërkuar nga juristja Leonora Ymeraga, pushim pa pagesë ose pushim vjetor, por që i njëjti pushim i ishte refuzuar gojarisht dhe se e njëjta iu kishte treguar se më nuk del në punë, si dhe e njëjta ka deklaruar se pasi që ka kuptuar që paga po i del ende në xhirollogari, ka qenë e interesuar që t`i kthej të gjitha të hollat gjatë kohës që nuk ka punuar.

Edhe Leonora Ymeraga, nuk e ka pranuar veprën për të cilën akuzohet, në deklaratën e saj në Prokurori kishte thënë që kishte marrë vendim për shkëputjen e marrëdhënies së punës me datën 04.11.2019, të punëtores Fatmire Sahiti.

Aktakuza thotë se këto veprime të të akuzuarve janë në kundërshtim me Ligjin e Punës.

Ndrecaj, bashkë me disa zyrtarë të tjerë të spitalit në shkurt të vitit 2019, ishin dënuar me dënim me kusht.

Po ashtu, në tetor të 2019-ës, ai sërish ishte dënuar me kusht dhe gjobë për mosdeklarim të pasurisë.