Foto: Kallxo.com

Në prag të zgjedhjeve, Sami Lushtaku vonohet në gjykim

Gjykata duhet ta presë Sami Lushtakun dhe Mervete Lushtakun për fillimin e gjykimit.

Sami Lushtaku njoftoi se do të vonohet për seancën e sotme pasi që kishte menduar që seanca do të fillojë nga ora 09:30, ndonëse ishte njoftuar për orarin.

Pasi trupi gjykues hyri në sallën e gjykimit, kryetari i procesit gjykatësi Shashivar Hoti pasi konstatoi mungesën e të akuzuarit Sami Lushtaku mori vendim për mbajtjen e pauzës deri sa ai të vijë.

Në Gjykatën e Prishtinës sot do të mbahet seanca në të cilën 24 persona akuzohen për rastin e arratisjes nga QKUK-ja të Sami Lushtakut në kohën kur ai po gjykohej në akuzat për krime lufte.

Në seancën e kaluar, Sami Lushtaku ish-kryetar i Skenderajt dhe ish-komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës, e quajti gjykimin e tij si “proces politik”.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe djali i tij, Mergim Lushtaku, i cili ishte deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Pasi që seancën e kaluar të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat të cilat u vihen në barrë sot të akuzuarit do të paraqesin fjalën hyrëse-fillimin e gjykimit.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg.