Në gjykimin ndaj Gecit, dëshmon edhe mjeku që ka bërë autopsinë e të ndjerit Ruzhdi Shaqiri

Në gjykatën e Mitrovicës sot është mbajt seanca e gjykimit ndaj të akuzuarit Gani Geci.

Nga prokuroria Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, vrasje kjo e cila, sipas prokurorisë, kishte ndodhur me katër gusht 2014 në Skenderaj.

Gjatë seancës së sotme dëshminë e tij e ka dhënë mjeku Flamur Blakaj, i cili kishte bërë autopsinë e tani të ndjerit Shaqiri.

Prokurori i rastit Naim Beka, e ka pyetur mjekun se sa kishte qenë distanca e kryerësit të veprës në raportor me viktimën.

Duke u përgjigjur në këtë, Blakajt ka thënë se kanë konstatuar se largësia ka qenë mbi një metër.

“Nëse përreth vrimës hyrëse nuk gjenden faktorët plotësues të qitjes, janë faktorët plotësuese të qitjes, atëherë konstatohet se qitja është bërë nga largësia mbi një metër. Në rastin konkret nuk janë gjendur këta faktor plotësues, prandaj qitja është bërë në distancë mbi një metër..”, tha Blakaj.

Kurse i pyetur se në çfarë pozitë ka mundur të jetë i ndjeri, dëshmitari – mjeku Blakaj ka thënë se nuk mund të përcaktohet saktë.

“Pozitën e saktë nuk mund ta dijë, por në bazë të dëmtimeve të cilat janë konstatuar në trupin e viktimës rezulton se viktima duhet të ketë qenë në pozicion më të ulët se sa i pandehuri ose i pandehuri ka qenë më lartë se sa viktima. Andaj saktësisht nuk mund ta dijmë a ka qenë ulur gjysmë ulur apo në këmbë”, shpjegoi Blakaj.

Kurse lidhur me një plagë të cilën sipas autopsisë i ndjeri Shaqiri e kishte pasur në gjurin e majtë, për këtë Blakaj ka thënë se me shumë mundësi ajo i ishte shkaktuar në momentin e rrëzimit në tokë të të ndjerit.

I interesuar të qartësoj pozitën e të ndjerit në kohën kur është kryer vrasja, ka qenë edhe kryetari i trupit gjykues Radosllav Markoviq.

“Duke qenë se në raste të tilla, as viktima e as i pandehuri, nuk qëndrojnë në pozitë pasive pra në një gjendje dinamike, ka mundësi që viktima pas pësimit të plagës së parë a të dytë, ka pasur mundësi që vetëm ta lëviz trupin anash dhe atëherë edhe në pozitë të palëvizshme të autorit plaga na paraqitet me trajektore horizontale”, ka sqaruar tutje Blakaj.

Po ashtu duke u përgjigjur në pyetjen e gjyqtarit Markoviq, Blakaj ka thënë se në asnjë mënyrë nuk mund të përcaktohet renditja e goditjeve pas hyrjes në trup.

I ftuar për t’u dëgjuar si dëshmitarë në këtë seancë’ ka qenë edhe dëshmitari Shani Koca.

Ai ka thënë se mbetej në tërësi pranë deklaratës të cilën e kishte dhënë më herët në polici dhe prokurori.

“Ju e keni parë momentin kur Ganiu i ka zbrazur predhat në drejtim të Ruzhdiut, nga cila distancë ishte kjo”, ka pyetur prokurori Beka.

“Sa nuk e di, por afër ka qenë”, deklaroi Koca.

Gjithashtu dëshmitari Koca ka thënë se kur ishin zbrazur predhat, me ta kishte qenë edhe Sinan Hajrizi por se në momentin kur ka ndodhur rasti, nuk ishte i sigurt a ka qenë aty në tavolinë apo në tualet.

Gjithashtu dëshmitari Koca ka pohuar se kishte dëgjuar Gecin derisa i kishte thënë Shaqirit “a i ke mbledh burrat”, porse nuk i kujtohej a kishin pasur komunikim me tone të larta.

Pasi nuk kishte kundërshtime nga mbrojtësi i të pandehurit Ndrecë Dodaj dhe prokurori i rastit, trupi gjykues ka marr aktvendim me anë të se cilit u vendos që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve Sinan Hajrizi e dhënë në polici, Nebih Kocës e dhënë në prokurori dhe deklarata e Blerim Musliut e dhënë gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Seanca e stome është shtyrë, kurse e radhës është caktuar të mbahet me 16 prill në gjykatën e Mitrovicës, ku pritet të dëgjohen dëshmitare tjerë.

Akuza  e prokurorisë

Sipas akuzës së prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 prill, Gani Geci akuzohet se me katër gusht 2014 në Skenderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Akuza e prokurorisë thotë se kjo kishte ardhur si rezultat i një konflikti të mëhershëm të datës 19.10.2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri ishte duke dal nga brendësia e kafeterisë dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri ka qenë bashkë me personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, të gjithë këta sipas akuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit të dalje nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin i cili sipas akuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas akuzës i pandehuri të ndjerit Shaqiri, i ishte drejtuar me fjalët “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.

Aty kishte filluar sherri kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gacit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”, thuhet në akuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngritë dorën e djathtë, e drejton pas shpine dhe me këtë rast, i pandehuri është ndier, sipas akuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, dhe kishte nxjerr revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.