Gjykimi i Enver Sekiraqës - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e Enver Sekiraqës dëshmojnë familjarët e policit të vrarë Triumf Riza

Enver Sekiraqa, i cili akuzohet për shtytjen e Arben Berishës për vrasjen e policit Triumf Riza, sot është ulur përsëri në bankën e të akuzuarit.

Në seancën e sotme kanë dëshmuar babai dhe vëllai i Triumf Rizës, që janë dhe të dëmtuar në këtë çështje penale.

Të dy thanë se qëndrojnë pranë deklaratave dhe dëshmive të dhëna më herët.

Babai i Triumf Rizës, Shefqeti, tha se ky është rasti i vetëm në familje për të cilin kanë problem.

“Ne si familje s’kemi pasur asnjë problem, jemi familje intelektuale që s’kemi pasë asnjë problem kurrë, vetëm ky është rasti që kemi problem”, tha Shefqet Riza.

Ai përmendi kronologjikisht incidentet të cilat i ka pasur djali i tij i ndjerë me të akuzuarin Sekiraqa.

“Ngjarja ka ndodhë te shkolla e mesme “Ali Sokoli”, ku Sekiraqa i është kërcënu djalit tim të ndjerë, ka nxjerrë granatën, djali ka qenë me një polic të Pakistanit. Enver Sekiraqa iu ka kërcënu me fjalët: “Do ju bëj ma zi se në Shqipëri”, që domethënë se do ju vras, sepse në atë kohë në Shqipëri kanë qenë mbi 80 policë të vrarë nga bandat kriminale”, tha Shefqet Riza.

Ai po ashtu përmendi një rast brenda shkollës së mesme “Ali Sokoli”, ku sipas tij “Enver Sekiraqa me bandën e tij kanë dashur të marrin dy vajza me dhunë”.

“Një rast tjetër është përsëri në shkollën e mesme “Ali Sokoli”, ku kanë dashur me i marrë dy vajza me dhunë Enveri me bandën e tij, aty ka qëllu Triumfi me shokë dhe kanë ndërhyrë, kanë evitu për mos me mujtë me i marrë ato dy vajza me i dhunu”, tha Shefqet Riza.

Babai i Triumfit përmendi dhe rastin në “Swiss Casino”, ku aty një polic tjetër kishte mbetur i plagosur.

“Në “Swiss Casino”, Triumfi sulmohet, bashkë me një polic tjetër, Arben Selmanaj, i cili plagoset rëndë, i cili mandej ka shkuar në Kroaci për t’u shëruar. Fati ka deshtë që nuk është plagosë Triumfi në këtë ngjarje dhe Triumfin çka është e vërteta e ka rrahë Enver Sekiraqa, por Triumfi nuk e ka përdorë armën në vetëmbrojtje me e vra, as Sekiraqën e as 6 të tjerë që kanë qenë me të, kanë qenë edhe dy femra me Sekiraqën”, tha Shefqet Riza.

Shefqet Riza tha se i biri tashmë i ndjerë i ka thënë se në vazhdimësi është përcjellë nga Sekiraqa dhe banda e tij dhe se kishte pasur raste ku kishte qenë dhe me vëllanë Visarin kur ishin përcjellë.

Ai po ashtu i tha avokates Kosovare Kelmendi, avokate e cila mbron të akuzuarin Sekiraqa, se nëna e saj Nekibe Kelmendi kishte liruar Sekiraqën në vitin 2005. Kurse avokatja Kelmendi tha se do ta padisteë për shpifje Shefqet Rizën.

Të dy familjarët e Triumf Rizës thanë se polici Arben Selmanaj ka shkuar në Amerikë pas vrasjes së Triumfit, pasi që kishte frikë se mos vritej nga Sekiraqa.

Vëllai i Triumfit, Visar Riza, po ashtu përmendi rastet e përmendura nga i ati i tij dhe tha se shpesh kishte qenë prezent në shumë raste kur ishin përcjellë nga Sekiraqa dhe banda e tij, bile dhe në ditën kritike.

“Çdo ditë ka qenë nën përcjellje te vazhdueshme, ka pasë raste, jo një që kam qenë dhe unë prezent. Një rast ka qenë rrugës së Veternikut t’u shku përpjetë, t’u shku për fshat dhe aty kemi qenë nën përcjellje non-stop. Po ashtu dhe ditën kritike, Triumfi ka qenë duke më çu në punë, ka vërejtur se nga pas po na përcjellin”, tha Visar Riza.

Në ditën kritike shtoi se është njoftuar nga një shok i Triumfit se të njëjtin e kanë plagosur.

“Një shok i tij më ka thirrë: “E kanë plagu Triumfin dhe e dërgum në spital”. E kam thirrë menjëherë një taxi dhe kam shku te spitali, kur kam hyrë brenda, ai veç kish vdekë”, shtoi Visar Riza.

Në seancën e radhës, Visar Riza do të vazhdojë të dëshmojë pasi që shqyrtimi i sotëm u ndërpre për arsye se anëtari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, kishte pranuar një lëndë për vazhdim të paraburgimit. Kjo pasi që afatet për vazhdim të paraburgimit janë të shkurta.

Seanca e radhës u caktua për datën 22 shkurt.

12 vjet pas vrasjes së Rizës, më 16 shtator të vitit 2019, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtor për herë të dytë Enver Sekiraqën për nxitje të kësaj vrasjeje.

Trupi gjykues Sekiraqës i shqiptoi dënim me burgim prej 30 vjetësh, ndryshe nga hera e parë kur Sekiraqa u gjykua nga trupi gjykues i EULEX-it, i cili i shqiptoi dënimin me burgim prej 37 vjetësh.

Enver Sekiraqa, sipas aktakuzës, ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë. Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekë edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumfi Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënime me burgim ndërsa dënimi më i lartë i është shqiptuar Arben Berishës si ekzekutor i kësaj vrasje – 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Në vitin 2019, në 12 vjetorin e vrasjes së Triumf Rizës, KALLXO.com kishte shkruar pasi Policia e Kosovës nuk kishte aranzhuar homazhe për nder të përvjetorit të tij të vdekjes. Këtë injorim nga Policia e Kosovës kishte refuzuar ta komentonte edhe Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës.