Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Në 13 raste, Komuna e Podujevës një herë pranoi mallrat e shërbimet, pastaj lëshoi urdhërblerjen
Në 13 raste, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Podujevës fillimisht kishte pranuar mallrat dhe shërbimet e pastaj lëshoi zotimin dhe urdhërblerjen.
Vlera e këtyre faturave kap shifrën 387,491 euro.
Numri i faturave të testuara ishte 32.
“Kjo ishte si pasojë e dështimit të kontrolleve nga zyra e financave dhe prokurimit pasi që zyrtari zotues dhe zyra e prokurimit nuk i kishin respektuar hapat për procedim të pagesave sipas rregullës financiare” – thuhet mes tjerash në raportin e Auditimit për Komunën e Podujevës.
Mosrespektimi i procedurave ZKA thotë se rrezikon rritjen e borxheve të Komunës ndaj kompanive.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi rekomandohet që të sigurohet që të ndiqen hapat për procedimin e pagesave sipas Rregullës Financiare.
Komuna e Podujevës u pajtua me këtë gjetje të ZKA-së.
Kjo Komunë ka pranuar opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Ky opinion jepet kur janë zbuluar keq-deklarime dhe/ose mos-pajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keq-deklarimi dhe/ose mos-pajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë me ose tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse ka kufizim të fushëveprimit, i cili mund të mos shpie në shmangie të keq-deklarimit(eve) material(e).
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i ka dërguar ZKA-së letër konfirmimi për pranimin e raportit të auditimit me ç’rast është pajtuar me gjetjet dhe i ka thënë ZKA-së që brenda 30 ditëve do të dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.
Raporti i auditimit për vitin 2022 përmbante 14 rekomandime për Komunën e Podujevës, nga to pesë janë zbatuar, një është i mbyllur dhe tetë nuk janë zbatuar.
Raportin e plotë të auditimit për Komunën e Podujevës për vitin 2023 mund ta gjeni në këtë VEGËZ.