Foto: Ilustrim

Ndonëse ishte recidivist, i akuzuari që mori viktimën e dërgoi në mal dhe tentoi ta dhunojë, u dënua vetëm me kusht

Sistemi i drejtësisë në Kosovës është duke dhënë përshtypjen se krimet seksuale nuk po luftohen dhe ndëshkohen, mirëpo po stimulohen përmes vendimeve skandaloze të gjykatave.

Pas rastit të Pejës, i cili mori jehonë në të gjithë Kosovën për dënimin skandaloz, i cili është shqiptuar për një akt dhunimi ndaj një të miture 15 vjeçare, KALLXO.com ka siguruar një tjetër vendim gjyqësor, i cili shpalos rastin e një recidivisti të krimeve seksuale dhe i cili është dënuar me 1 vit burim burgim të kushtëzuar.

Fjala është për një rast të gjykuar nga Gjykata e Prishtinës në shkurt të vitit 2019, me të cilin i akuzuari S.M, ndonëse ishte recidivist i krimeve seksuale, u dënua me kusht.

Dënimi me kusht nënkupton që personi i dënuar nuk do të shkojë fare në vuajtje të dënimit, nëse brenda një periudhe të caktuar nuk kryen ndonjë akt tjetër kriminal.

Sipas aktgjykimit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët, Shadije Gërguri, Shashivar Hoti dhe Lutfi Shala, kishte vërtetuar se S.M, kishte tentuar ta dhunonte një vajzë në makinën e tij.

Siç përshkruhet në aktgjykim, i akuzuari fillimisht kishte tentuar që ta puthë të dëmtuarën ndërsa ajo kishte arritur të dalë nga vetura mirëpo ishte kapur për dore nga i akuzuari i cili kishte filluar ta zhveshë.

Viktima pasi ishte rrëzuar dhe kishte filluar të bërtasë, kishte arritur të ikë dhe të vrapojë drejtë një lokali ku edhe kishte lajmëruar policinë.

Për gjithë këtë akt, Gjykata e Prishtinës shqiptoi dënim me kusht ndonëse në arsyetimin e dënimit përshkruhet se i njëjti edhe në të kaluarën ishte i njohur për akte të tilla.

“Gjykata e ka pasur parasysh edhe faktin se i njëjti është recidivist pasi edhe me parë ka kryer vepra penale të ngjashme, mirëpo vlerëson se duke pasur parasysh kohën e gjatë nga koha e kryerjes së veprës penale, kushtet e tij ekonomike dhe rrethanat në të cilat e ka kryer vepër penale, mirëpo ka vlerësuar si shumë të rëndë dhe që shkon përtej qëllimit të dënimit”, përshkruhet në aktgjykim.

Pra, sipas gjykatës fakti se i akuzuari edhe më parë kishte kryer vepra të ngjashme nuk mund të merret rrethanë shumë e rëndë, pasi shkon përtej qëllimit të dënimit.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Prishtinës vlerësojë se dënimi me kusht i të akuzuarit që edhe më parë kishte kryer akte të tilla, është i mjaftueshëm për arritjen e qëllimit të dënimit, ndonëse sipas Kodit Penal, njëri nga qëllimet kryesore të dënimit është parandalimi i përsëritjes së akteve të tilla në të ardhmen.

Javën e kaluar opinioni publik u trondit nga një lajm që tregonte se si gjykata e Pejës e kishte dënuar me 8 muaj dhe 8 ditë burgim një akt të përdhunimit të një vajze 15-vjeçare, ndonëse sipas ligjit dënimi i paraparë në këso raste, parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

KALLXO.com përpos që raportoi për rastin, shfaqi edhe dyshime për mënyrën e nxjerrjes së vendimit.

Domosdoshmëria e hetimit penal në vendimin për përdhunuesin e 15 vjeçares