Foto: KALLXO.com

Ndërtimi mbi rrugë, deklarohet i pafajshëm zyrtari i Urbanizmit të Komunës së Prishtinës

Seanca gjyqësore ndaj Gëzim Ferizit, zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve e pastaj me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti, i akuzuari Gëzim Ferizi u deklarua i pafajshëm për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Dëshmitarja Shkëndije Ballata deklaroi se punon në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në cilësi të inspektores së ndërtimit dhe planifikimit. Gëzim Ferizin tha se nuk e njihte dhe se në Gjykatë e kishte takuar për herë të parë.

Ballata tregoi se gjatë vitit 2015 kishte punuar në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në të njëjtën pozitë në cilësi të inspektores së ndërtimit dhe planifikimit.

Ajo tregoi se kishte qenë në vizitë inspektuese tek objekti banesor afarist A dhe C, në lagjen Mati 1 për lejen ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizimit të Komunës së Prishtinës, për shkak se Besim Ajeti kishte bërë ankesë, mbi bazën e së cilës kishin dalë në inspektim.

Dëshmitarja Ballata shtoi se kishin shkuar si ekip në përbërje prej dy personave, ajo dhe kolegu Refik Rexhepaj.

Më tutje shtoi se në radhë të parë kanë dalë në lokacion për të konstatuar gjendjen faktike, dhe pastaj në Drejtorinë e Urbanizimit për sigurimin e provave apo dëshmive, dokumentacionit përkatës, për ta konstatuar a është e bazuar ankesa e palës.

Ballata në fund shtoi se në përgjigjen e dhënë me shkrim  kishin konstatuar se ndërtimi  i objektit kolektiv ishte në përfundim, ndërsa në Drejtorinë e Urbanizmit kishin konstatuar se leja ndërtimore është lëshuar sipas planit që e kanë pasur në fuqi, mirëpo parcela 741/14, në gjendjen kadastrale figuronte rrugë publike e pakategorizuar.

“Ajo rrugë është në kuotën 00 ndërsa mbi ka pasur ndërtim”, tha ajo.

Po ashtu, dëshmitarja tha se kur e kanë trajtuar lëndën dhe kontrolluar dokumentacionin kishin parë se Komuna i ka vendimet, rregulloret e veta për të cilat ata nuk kishin pasur qasje në to dhe se në kuadër të Komunës kishin parë se kjo pjesë ka qenë e përfshirë në plan dhe leja është lëshuar pikërisht për atë arsye.

E pyetur nëse ata si Inspektorat e kishin njoftuar Drejtorinë e Urbanizmit për këto gjetje, dëshmitarja tha se ajo e ka njoftuar vetëm palën.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar ka përpiluar dy aktvendime të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve banesore afariste, objekti A dhe C, në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë, ku investitor është Latif Brajshori.

Gëzim Ferizi po akuzohet nga Prokuroria se ka përpiluar edhe një aktvendim tjetër të lejes ndërtimore, ku investitor është “NNH Morina IB” për objektin B, në lagjen “Mati 1”.

Sipas aktakuzës, pjesa tekstuale e lejes ndërtimore nuk përputhet me pjesën grafike, pasi në pjesën grafike kishte përfshirë një ngastër kadastrale, e cila evidentohet në Komunën e Prishtinës si rrugë. Mbi këtë rrugë u është mundësuar investitorëve të lartcekur të ndërtojnë objekte banesore e afariste, me ç’rast të dëmtuarës Komunës së Prishtinës i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.