
Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit
Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit është ndëprerë të mërkurën, më 05.03.2025, në Gjykatën e Prishtinës.
Seanca u ndërpre pasi që pas leximit të Aktakuzës nga prokurori special Bekim Kodraliu, gjyqtari Rrahman Beqiri i pyeti të akuzuarit nëse e kanë kuptuar Aktakuzën, mirëpo i akuzuari Bedri Shabani kërkoi kohë nga Gjykata që ta lexojë atë, pasi tha se e kishte pranuar pak para fillimit të seancës të mërkurën.
Bedri Shabani e Muharrem Qerimi po akuzohen se i kanë dhënë informacione Agjencisë së Inteligjencës dhe Sgurisë së Serbisë (BIA) mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës e Inspektoratin Policor të Kosovës.
“Aktakuzën pa e lexu edhe një herë mirë, nuk do deklarohem në këtë moment, në një seancë tjetër. Kërkoj një afat të arsyeshëm disaditor, në mënyrë që të kem mundësi që të analizojë dhe të deklarohem për këtë Aktakuzë.” – tha para Gjykatës, i akuzuari Bedri Shabani.
Ndërsa, i akuzuari tjetër Muharrem Qerimi tha se e kupton Aktakuzën dhe se e ka plotësisht të qartë.
“E kam kuptuar Aktakuzën dhe nuk kam asgjë të paqartë.” – tha i akuzuari Muharrem Qerimi.
Po ashtu para së të lexohet Aktakuza nga prokurori Bekim Kodraliu, mbrojtësi i të akuzuarit Bedri Shabani, avokati Besnik Berisha tha se nuk janë kundër leximit të Aktakuzës në seancën e sotme, mirëpo siç tha ai, deklarimi i të akuzuarit të tij “është i pamundur, pasi që pak minuta para se të hyjnë në sallë i është dorëzuar një kopje e Aktakuzës.”
“Nuk jemi kundër me u lexu Aktakuza, por duhemi me ju njoftu se deklarimi i të akuzuarit tim tash për tash është i pamundur, për shkak se siç e konstatoi Gjykata pak minuta para se ju të hyni në sallë atij i është dorëzuar një kopje e Aktakuzës, e cila përveç që është voluminoze kërkon edhe analizë e sqarime edhe nga mbrojtja. Duke pasur parasysh të drejtën e tij që para se të deklarohet mu njoftu tërësisht mbi akuzat që e rëndojnë dhe ta kuptojë secilin pretendim të ngritur kundër tij, kam frikë se sot nuk kemi kushte për të vijuar më tutje, sepse është e pamundur që brenda këtij afati të shkurtër akuza të lexohet dhe të studiohet; e zotëri Shabani lidhur me fajësinë të deklarohet.” – tha avokati Besnik Berisha.
Kurse, prokurori Bekim Kodraliu u pajtua se mund t’i jepet të akuzuarve kohë që të lexojnë Aktakuzën dhe më pas të deklarohen.
Gjyqtari Rrahman Beqiri tha se është fakt që Aktakuza është dorëzuar sot, më 05.03.2025, mirëpo mbrojtësve të të akuzuarve u është dorëzuar përmes e-mail-it zyrtar bashkë me ftesën.
Tutje, gjyqtari Beqiri tha se duke qenë që i akuzuari ka të drejtë të njihet me Aktakuzën, Gjykata nxjerr Aktvendim me të cilin ndërpritet seanca e shqyrtimit fillestar dhe e radhës caktohet për 17.03.2025.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me gjyqtar Rrahman Beqirin.
Ndërsa, Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Bekim Kodraliu.
Dosja e Prokurorisë
Prokuroria Speciale e Kosovës, më 19.02.2025, ka ngritur Aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrrem Qerimit për veprën penale: “spiunazh”. Aktakuza është ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu.
Në Aktakuzën e redaktuar të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA), mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës e Inspektoratin Policor të Kosovës.
Siç është përshkruar në Aktakuzë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me një zyrtar të lartë të BIA-s, një ish-Komandant të Policisë së Serbisë dhe udhëheqës të operacionit policor-ushtarak në njërën nga masakrat që ishte kryer në Kosovë gjatë luftës.
Shabani e Qerimi akuzohen se këto informacione i transmetuan edhe përmes telefonave dhe e-mail-eve.
Të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “spiunazhi”, ndërsa Muharrem Qerimi edhe me veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
“I pandehuri Bedri Shabani nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 05.06.2024, ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA në mbledhje dhe dërgim të informacioneve, dokumenteve e materialeve, siç thuhet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – përfshirë eprorët e saj edhe me ngjarjet dhe objektet specifike, të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin (e redaktuar) dhe masakrën (e redaktuar).” – thuhet në Aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Informacione të tilla i akuzuari i kishte shpërndarë me zyrtarin e lartë të BIA-s, S.R., përgjegjës për (e redaktuar), si dhe kolonel B.J., ish-Komandant i Policisë së Serbisë (e redaktuar), gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën (e redaktuar), përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.” – thuhet në Aktakuzë.
Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Bedri Shabani me këto veprime ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës. Tutje, i njëjti ka ndihmuar Shërbimin Sekret Serb për krijimin e një narrative të pavërtetë, e cila ndërlidh Spitalin Ushtarak të UÇK-së me trafikim të organeve. Përveç kësaj, veprimet e të pandehurit kanë vënë – sipas Aktakuzës – në dyshim të vërtetën mbi masakrën.
Të gjitha këto veprime do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e vendit – thekson Aktakuza.
Në anën tjetër, i akuzuari Muharrem Qerimi dyshohet se nga viti 2012 e deri në qershor të vitit 2024, përmes telefonit dhe takimeve fizike me një zyrtar të Shërbimit Sekret Serb ka dhënë informacione të ndryshme, të cilat cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së. Pastaj, emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të (e redaktuar), në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionit, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, S.R, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike, që ka zhvilluar në territorin e Serbisë.” – thuhet në Aktakuzë.
Me këto veprime – sipas aktakuzës – i dyshuari Muharrem Qerimi ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.
Muharrem Qerimi ngarkohet edhe me veprën penale “armëmbajtje pa leje”, pasi më 05.06.2024, gjatë kontrollit i është gjetur një revole e tipit “Ekol Tuna”, me kalibër 8 milimetër, një karikator me 6 fishekë në të dhe 20 fishekë të tjerë 11/53; e 4 karikatorë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak. Të gjitha këto janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.