Ndërhyrja e policisë pas ndeshjes së boksit në Gjakovë - VIDEO

Dy ditë më parë, një ndeshje boksi në Gjakovë kishte përfunduar me arrestimin e tre personave ndërsa raporti policor tregonte se përveç disa gjyqtarëve edhe disa zyrtar policor kanë qenë cak i sulmit.

Pas këtij raportimi, persona të cilat kanë qenë në vendin e ngjarjes kanë dërguar disa video – incizime në KALLXO.com ku shihen zyrtarët policor deri sa arrestojnë disa persona.

Në videot që ka siguruar KALLXO.com, të pranishmit në vendin e ngjarjes dëgjohen duke i thënë policisë se njëri nga të arrestuarit është operuar në këmbë dhe se duhet ta lirojnë.

Pamjet tutje tregojnë edhe se për të menaxhuar situatën policët kishin nxjerrë edhe sprejin.

Të pranishmit të cilët ishin në oborr të palestrës “Shani Nushi” vazhdonin të kërkonin lirimin e njërit nga të arrestuarit, ndërsa në asistencë, sipas video- incizimeve, shihen deri sa shkojnë edhe njësitë speciale.

Tensionet mes zyrtarëve policor dhe të afërmve të njërit nga të arrestuarit, nuk ndaloi ndërsa në pamje shihet edhe arrestimi i personit të dytë. Familjarët e boksierit kanë mohuar të kenë sulmuar policinë, derisa në pamje shihet edhe njëri nga boksierët tek mban duart në fytyrë pasi i ishte hedhur spreji në sy.

KALLXO.com raportoi se një ndeshje boksi në Gjakovë, nuk përfundoi bashkë me gongun e gjyqtarit. Rrahja vazhdoi edhe jashtë ringut, pasi familjarët e boksierit që humbi ndeshjen, sipas policisë kanë sulmuar gjyqtarët.

Mirëpo, përveç gjyqtarëve edhe pjesëtarët e policisë kanë qenë cak i sulmit në Gjakovë.

Ngjarja ka ndodhur  në palestrën “Shani Nushi” deri sa po mbahej një turnir boksi për nder të 22 vjetorit të Çlirimit të Gjakovës.

Zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Nysret Xhurkaj për KALLXO.com ka dhënë detaje të ngjarjes.

“Pas kumtimit të një rezultati nga ana e referëve, disa familjarë të njërit garues kanë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të gjyqtarëve dhe kanë filluar të ofendojnë dhe më pastaj të sulmojnë, fillimisht referët, dhe pastaj edhe stafin tjetër të turnirit”, tha Xhurkaj.

Xhurkaj ka treguar se në këtë situatë janë sulmuar edhe zyrtarët policor.

“Policia ka ndërhyrë për ta qetësuar situatën ku me pastaj të dyshuarit kanë sulmuar edhe policët duke i shtyrë dhe hedhur sprej, të cilin ia kanë marrë një polici nga brezi”, tregon Xhurkaj tutje për KALLXO.com.

Zyrtarët policor kanë arrestuar (shoqëruar) 3 persona të dyshimtë ku njeri nga ta duke ikur ishte rrëzuar dhe kishte pësuar lëndime në këmbë.