Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Ndarja e trashëgimisë, dështon seanca ndaj noterit të akuzuar

Ka dështuar të mbahet sot seanca kundër të pandehurit Lirim Mustafa dhe noterit Sinan Visoka.

Sipas prokurorisë noteri Sinan Visoka akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën e tij, duke e përpiluar një aktvendim përmes të cilit i ka dhënë të drejtë në trashëgimi Lirim Mustafës, pa qenë prezent trashëgimtarët e tjerë ligjorë.

Mungesa e prokurores, ishte arsyeja për dështimin e seancës së sotme.

Sipas gjykatës prokurorja Dulina Hamiti, ka njoftuar gjykatën se e njëjta gjendet në pushim vjetor dhe e njëjta nuk mund të jetë prezente në këtë gjykim.

“Prokurorja mungon, më ka njoftuar që gjendet në pushim vjetor…”- konstatoi gjykata.

Seanca e radhës për këtë rast do ta mbahet më datën 19 janar të vitit 2023.

Noteri Sinan Visoka akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën e tij, duke e përpiluar një aktvendim përmes të cilit i ka dhënë të drejtë në trashëgimi Lirim Mustafës, pa qenë prezent trashëgimtarët e tjerë ligjorë.

Sipas këtij vendimi të noterit, Lirim Mustafës i është njohur e drejta në trashëgimi duke ua pamundësuar këtë të drejtë përfaqësuesve të tjerë ligjorë.

Sipas Prokurorisë, dy të akuzuarit, ishin marrë vesh paraprakisht në mes vete.

Prokuroria pretendon se deri tek kjo ndarje e pasurisë kishte ardhur pasi Lirim Mustafa kishte bërë paraqitje të rreme dhe nuk i kishte informuar trashëgimtarët e tjerë ligjorë.

Në aktakuzë thuhet se noteri Visoka më pas e kishte përpiluar aktvendimin për ndarje të trashëgimisë.

Përmes këtij vendimi Visoka e kishte shpallur trashëgimtar të pronës, me sipërfaqe prej 993 metra katrorë, të pandehurin Lirim Mustafa dhe përmes këtij vendimi e kishin vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Podujevës dhe prona kishte kaluar në emër të të pandehurit Lirim Mustafa.