Foto nga arkivi: Oliver Ivanoviqi në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Ndalohet publikimi i dëshmive të dëshmitarëve në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Gjykata ka ndaluar publikimin e dëshmive të dëshmitarëve për rastin e Oliver Ivanoviq. Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj këtë e ka arsyetuar dukë thënë publikimi i dëshmive do të ndikonte te dëshmitarët e tjerë. Gjithashtu ai ka kërkuar që dëshmitarët publikisht të prezantohen vetëm me iniciale.

Në seancën e sotme të shqyrtimit gjyqësor, është bërë dëgjimi i dy dëshmitarëve H.N dhe V.N të propozuar nga Prokuroria, ndërsa është bërë edhe largimi i publikut për shkak të gjendjes aktuale me pandemi.

Gjithashtu në këtë seancë ishte paraparë që të jepet fjala hyrëse nga ish bashkëshortja e të ndjerit Oliver Ivanoviq, M.I, mirëpo e njëjta nuk është paraqitur në seancën e sotme, duke mos e arsyetuar mungesën e saj. E njëjta ishte e njoftuar në seancën e kaluar se do të ketë një seancë për ditën e sotme.

Mirëpo në këtë seancë në cilësinë e palës së dëmtuar, ishte edhe djali i të ndjerit Oliver Ivanoviq, N.I.

Ai në fjalën hyrëse para trupit gjykues tha se duan të arrihet drejtësia, se i qëndrojnë ndjekjes penale dhe se do të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.

“Pas dy viteve e gjysmë të vrasjes së babait dhe burrit tonë, familja e Oliver Ivanoviqit meriton drejtësinë, ne duam që drejtësia të arrihet dhe që fajtorët të dënohen. Gjykata do të vërtetojë se kush janë fajtorët dhe kush nuk janë fajtorët. Po i bashkohemi edhe ne ndjekjes penale. Po ne parashtrojmë kërkesë pasurore juridike, por tani nuk mund ta precizojmë se në çfarë niveli por këtë do ta bëjmë gjatë gjykimit”, tha N.I.

Seanca e paraparë të mbahet me atë 1 shtator është shtyrë për datën 14 dhe 17 shtator ku do të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Millan Radoiçiq ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish-prokurorit special Sylë Hoxha. Ky urdhër ishte tërhequr më vonë ndërsa për këtë pati reagime edhe nga ish prokurori Hoxha. Pas heqjes së fletarrestit, Radoiçiq ishte futur në Kosovë.

Prokurori i tanishëm i rastit, Burim Çerkini, pati thënë për KALLXO.com se Millan Radoiçiq është pjesë hetimeve, porse për të nuk ka aktakuzë.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.