Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt në vitin 2023. Liridona Ademaj ishte gruaja e të dyshuarit, Naim Murseli.

Lajmin për vazhdimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt: Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës u është vazhduar masa e paraburgimit deri më 23.02.2025.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve: N. M., G. P. dhe K. K., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, më datë 20.12.2024, ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë Themelore – Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të të pandehurve: N. M., G. P. dhe K. K., iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muajsh për secilin, e cila masë iu llogaritet nga data 24.12.2024 deri më datë 23.02.2025.” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi në Prishtinë dhe sipas Prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

Ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

Dosja e Prokurorisë

Sipas Dosjes, që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla, duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë” – duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një Qendër në Gjakovë, në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit, duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’.” – thuhet në Dosje.

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli. I pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë.

Kështu, të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas Vendimit të Gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

Pas këtij takimi, Naim Murseli kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas Dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast – sipas Prokurorisë – dyshohet të jetë Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli, me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin, Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas Dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën e kishte pajisur më armë dorasin dhe kishin inskenuar një grabitje – inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25, në Rrugën “Dalip Alshiqi”.

Raportimet e KALLXO.com – LINK