Munguan të akuzuarit, shtyhet seanca  për kontrabandë me produkte kozmetike

 

Seanca gjyqësore ndaj doganierit Marko Mlladenoviq dhe ish-doganierit Bekim Gashi, ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Mitrovicës.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq për shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.

Kurse Mlladenoviq dhe Gashi të dy doganier, respektivisht ish-doganier, njëri serb e tjetri shqiptarë po përballen me një akuzë për shkak se toleruan kontrabandën në veriun e Kosovës gjatë vitit 2014-të.

Doganieri Marko Mlladenoviq dhe ish-doganieri Bekim Gashi akuzohen se nuk kanë zhdoganuar një kamion me mallra kozmetike, si brisqe të rrojës, detergjent dhe pelena për bebe.

Sipas aktakuzës dëmi nga ky mos zhdoganim për buxhetin e Kosovës është në vlerë prej 12,622.00 euro.
Me këtë në bashkëkryerje akuzohen se në shtator të vitit 2014 kanë kryer veprën penale të shmangies nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Ndërsa sot seanca ndaj tyre nuk ka arritur të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit Filip Filipoviq, i cili sipas fletë kthesës gjendet në Rumani dhe deri kah mesi i muajit mars nuk mund të jetë në Kosovë.

Po ashtu ka munguar edhe i akuzuari Stojanoviq, i cili sipas gjykatës gjendet jashtë vendit.

Duke mos pas kushte ligjore për mbajtjen e seancës, gjykatësi Bekim Veliqi seancën e sotme e ka shtyer, ndërsa të radhës e ka caktuar për 10 prill.

Të akuzuarit në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 15 maj 2019 janë deklaruar të pafajshëm veprat penale me të cilat ngarkohen nga Prokuroria.