Foto: Kallxo.com

Mungon juristi i komunës, dështon seanca ndaj shefit të kabinetit të Gazmend Muhaxherit

Mosprania e përfaqësuesit të Komunës së Pejës ka bërë që të dështojë seanca kundër Durim Sheremetit, Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala të akuzuar për korrupsion, si dhe kundër të akuzuarit Ilir Kelmendi për mashtrim.

“Nuk është prezent përfaqësuesi i Komunës, edhe pse ftesën e ka pranuar në mënyrë të rregullt, mos ardhjen nuk e ka arsyetuar”, tha gjyqtari Sami Sharraxhiu.

Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, akuzohet se në këtë pozitë, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit pa qenë i autorizuar për nënshkrimin e këtij raporti.

Me këtë veprim ai akuzohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës.

Sipas dosjes se prokurorisë, të akuzuarit tjerë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, si persona zyrtarë në Komunën e Pejës, anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare kur kanë nënshkruar raportin për pranim të mallit pa verifikuar plotësimin e kushteve qe kërkohen.

Në anën tjetër, Ilir Kelmendi akuzohet se në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, ka paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

Më këto veprime të dyshuarit akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në vlere prej 9,929 euro.

Seanca e radhës mbahet me 1 tetor.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!