Mungon i dëmtuari, dështon seanca gjyqësore, kundër vëllezërve Selmani

Seanca e gjykimit ndaj dy vëllezërve Pajtim dhe Bajram Selmanit për shkak të lëndimit të lehtë trupore, armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të armës dështoi të mbahej në Gjykatën e Mitrovicës. Mungesa e të dëmtuarit Agron Zejnullahu, bëri që seanca të shtyhet për datën 8 dhjetor 2021.

Në seancën e sotme munguan edhe dëshmitarët Arben Zejnullahu i cili gjendet në Gjermani, Alije Ibrahimi e cila ndonëse ka pranuar thirrjen, mungesën në seancë nuk e ka arsyetuar.

Vëllezërit Selmani po akuzohen se në bashkëkryerje i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarve Hamdi dhe Armend  Zejnullahut.

Ndërsa Pajtim Selmani po akuzohet edhe për përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas pikës së parë të akuzës Pajtim Selamani me 28 korrik 2017 në parkingun e lokalit “te bali” në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë pas zënkave me të dëmtuarit Hamdi dhe Armend  Zejnullahu kishte marrë armën automatike AK-47 dhe kishte shtënë disa herë në ajër me qëllim që t’i frikësoj dy të dëmtuarit Zejnullahu.

Sipas aktakuzës Pajtim Selmani në kundërshtim me ligjin kishte mbajtur pa leje armën automatike AK-47 deri më 28 korrik 2017.

Ndërsa pika e tretë e akuzës thotë se vëllezërit Selmani në mëngjesin e hershëm të datës 28 korrik 2017 rreth orës 3 e 38 minuta kishin dalë në parkingun e lokalit “te bali” te vetura e të dëmtuarave Hamdi dhe Armend Zejnullahu të cilët pasi kishin pirë alkool ishin shoqëruar nga valltarja e lokalit dhe pas një zënke i kishin goditur duke iu shkaktuar lëndime të lehta trupore.