Mungon i dëmtuari, dështon gjykimi ndaj Dardan Hoxhës i akuzuar për falsifikim

 

Gjykata e Prizrenit, ka dështuar të mbajë seancën gjyqësore kundër Dardan Hoxhës, i cili nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën e falsifikimit të dokumenteve.

Ndaj të akuzuarit Hoxha, Gjykata e Apelit me 17 korrik 2020, kishte marrë aktgjykim dhe të akuzuarin Hoxha,  për veprat e falsifikimit të dokumenteve dhe veprave kallëzim i rremë, Apeli i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Po ashtu, Apeli kishte aprovuar pjesërisht  ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit, dhe për veprën penale falsifikim i dokumenteve çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Me t`u kthyer lënda në rigjykim në Gjykatën e Prizrenit, gjyqtari i krimeve të rënda, ka konstatuar se vepra falsifikim i dokumenteve  është në kompetencë të Departamentit të Përgjithshëm Penal.

Mirëpo, seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të dëmtuarit Ali Bytyqi, për të cilin Gjykata nuk pati provë se ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Prokurori i shtetit, Shpend Binaj lidhur me këtë deklaroi se duke patur parasysh faktin se Gjykata e Apelit në vendimin e saj kishte dhënë konstatim se rishtas në rigjykim duhet të procedohen provat, prokurori konsideroi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës andaj, sugjeroi që të dëmtuarit t’i përsëritet ftesa.

Në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi i sotëm u ndërpre, i njëjti u caktua që të mbahet me datë 7 shtator 2021.

Sipas aktakuzës, Dardan Hoxha nga Prokuroria po akuzohet se me datë 4 tetor 2016, në zyrën e tij “Geosmart Consulting” përpilon dokumente të falsifikuara si dhe ndryshon dokumentet origjinale me qëllim që me dije t’i përdor dhe t’i shfrytëzoj si origjinale.

Sipas aktakuzës, Dardan Hoxha dyshohet se ka falsifikuar dokumentet si dhe ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës Themelore në Prizren, po ashtu letërnjoftimin në emër të personit Ali Bytyçi, vërtetimin e kopjes së dokumentit të lëshuar nga Bilgaip Maznikar – noter, dokumentin e lëshuar nga Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave në Prizren lidhur me tatimin mbi pronë, vërtetimin  e lëshuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prizren  – Sektori për Menaxhimin e mbeturinave, të gjitha këto në emër të Ali Bytyçit.

Për këto veprime, Prokuroria e ngarkon për veprën penale të falsifikimi të dokumenteve.