Mungon i akuzuari, dështon seanca për rastin e kanosjes së pjestarëve të KFOR-it italian në Prizren

Ka dështuar të mbahet seanca e datës 18.12.2024 ndaj të akuzuarit Izjet Halilaj. Arsye e dështimit të seancës ishte pasi që i pandehuri Izjet Halilaj nuk u paraqit në gjykatore.

Izjet Halilaj nga Prokuroia Speciale po akuzohet se më datë 26.02.2024 në fshatin Lubiqevë Komuna e Prizrenit, ka ofenduar dhe kanosur pjesëtarët e KFOR-it italian, të cilët janë në mison paqeruajtës në Kosovë me mandat të OKB-së.

Gjyqtari Kujtim Krasniqi njoftoi se nuk ka kushte për mbajtjen e senacës, pasi që që mungon i pandehuri Izjet Halilaj.

Gjyqtari Krasniqi për të pandehurin Halilaj, tha se Gjykata ka prova që ftesa i është dërguar në mënyrë të rregullt, si dhe shërbimi postar ftesën ia ka lënë në raport pas dy tentimeve për të ia dorëzuar, por i njëjti nuk është paraqitur për ta pranuar ftesën e postës.

Tutje, gjyqtari Krasniqi tha se për të pandehurin Halilaj, Gjykata do të urdhëroj sjellje me shoqërim.

Seanca e radhës e kësaj çështje penale është caktuar në muajin shkurt 2025.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Kujtim Krasniqi- Kryetar, Valon Kurtaj dhe Vesel Ismaili- antarë, ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori special Bekim Kodraliu.

 

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të datës 15.05.2024, i pandehuri Izjet Halilaj po akuzohet se më datë 26.02.2024 rreth orës 09:10 min, në një kafiteri në fshatin Lubiqevë Komuna e Prizrenit, fillimisht ka ofenduar dhe pastaj ka kanosë seriozisht pjesëtarët e KFOR-it italian, të cilët janë në mison paqeruajtës në Kosovë me mandate të OKB-së, me fjalët: ‘Ju jeni me të vërtetë mafioz, unë kam mbajtë 4 vite burg në Itali pa qenë fajtorë, shkoni nga këtu përndryshe shkova në shtëpi ta marr kallashin’. 

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Halilaj së bashku me Amet Krasniqin me automjetin e markës “Mercedes 190”, largohen në drejtim të Prizrenit dhe se me intervenimin e pjesëtarve të Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale në Prizren i njëjti arrestohet.

Me çka i pandehuri Izjet Halilaj kishte për të kryer veprën penale “Rrezikimi i Personelit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i Personelit në marëdhënie me të”.