Mungon gjykatësja, dështon seanca ndaj ekzaminerit të auto-shkollës

 

Në mungesë të anëtares së trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hysa, nuk u mbajt seanca ndaj Gëzim Kryeziut, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I bashkakuzuar në këtë proces penal ishte edhe Ekrem Zhegrova, i akuzuar për marrje ryshfeti.

I akuzuari Ekrem Zhegrova, pasi kishte pranuar fajësinë ishte dënuar nga Gjykata me një vit burgim dhe 1 mijë euro dënim me gjobë.

Aktakuza thotë se Gëzim Kryeziu me datën 18 shtator 2019 rreth orës 11, në cilësinë e personit zyrtar ekzaminer në Qendrën e Patentë Shoferit në Prishtinë, e shfrytëzon detyrën duke tejkaluar kompetencat e tij dhe sipas instruksioneve të Ekrem Zhegrovës  i ndihmon kandidates Shkurte Hashani në dhënien e provimit teorik, duke iu afruar gjatë testit dhe duke i treguar se cilat janë përgjigjet e sakta.

Ndërsa të akuzuarin Ekrem Zhegrova, Prokuroria e ngarkon se me datën e njëjtë rreth orës 10:00, derisa ishte duke punuar ne sektorin privat ‘’Money Gram’’ në afërsi të Qendrës së Patentëve në Prishtinë, takohet me kandidaten Shkurte Hasani, tani e dëmtuar, nga e cila kishte kërkuar shumën prej 500 euro dhe ia ka marrë ato me qëllim që t’i ndihmojë ta kalojë provimin teorik për patentë shoferë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Zhegrova i kishte thënë tani kandidates Shkurte Hashani, që deri sa të vinte ekzamineri pranë saj gjatë provimit të mos plotësonte asnjë pyetje.

E nga zbatimi i masave të fshehta, sipas Prokurorisë, është parë ekzamineri Gëzim Kryeziu duke i ndihmuar kandidates Shkurte Hashani për mbushjen e testit.