Rigjykimi i Maliq Birinxhikut (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Mungon gjykatësi, shtyhet seanca për vrasjen e policit Valon Goxhuli në Skenderaj

Ka dështuar të mbahet të hënën seanca gjyqësore në gjykatën e Mitrovicës ndaj të akuzuarit Maliq Birinxhiku.

Arsye për mos mbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e anëtarit të trupit gjykues Avni Mehmeti, i cili siç ka njoftuar kryetari i turpit gjykues Beqir Halili, gjendet në pushim vjetor.

Në gjykatë të pranishëm ishin i akuzuari Maliq Birinixhiku, avokati i tij Ndrec Dodaj, prokurori i rastit Njazi Rexha, përfaqësuesit e palëve të dëmtuara si dhe dëshmitaret.

Mirëpo meqenëse ka munguar njëri anëtar i trupit gjykues, nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seances, për këtë arsye e njejta edhe është shtyre.

Ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet me 24 shtator.

Prokuroria e Mitrovicës e akuzon Maliq Birinxhikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje me qëllim hakmarrjeje, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.

Sipas aktakuzës, pasi i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Birinxhikun, vëllain e tani të akuzuarit Maliq Birinxhiku, ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij Arsim Fejza, nga vetura “Ford Focus” me targa gjermane të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar tani atij plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve tjerë kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Çubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Birinxhiku. Aktakuza thotë se aty i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kishin ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog.

Në lidhje me rastin i ndjeri, Valon Goxhuli, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në maj të vitit 2015, nga akuza për vrasjen e Bekim Biringikut më 2 nëntor 2013, pas një zënke që kishin pasur të dy.

Kurse sipas aktgjykimit të cilin atëkohë e kishte shpallur  gjykatësi Burim Ademi,  vrasja e Bekim Biringjikut nga polici Valon Goxhuli, ishte cilësuar si vrasje në mbrojtje të nevojshme.