![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2025/01/462576877_482516354507472_2731357297496776960_n-e1736514718942-720x440.jpg)
Mungon dëshmitarja bashkëpunuese, nuk mbahet seanca ndaj të akuzuarve për rastin e 'patentë-shoferëve'
Seanca ndaj 31 të akuzuarve në rastin ‘patentë-shoferët’ ka dështuar të mbahet sot, më 10.01.2025, në Gjykatën e Prishtinës.
Të akuzuar në këtë rast janë: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leuart Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Premtim Topalli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, Enver Fazliu, Burim Jashari, Fejzullah Ejupi dhe Bashkim Jetullahu.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej dëshmitarja bashkëpunuese e Prokurorisë, Adelina Gashi, e për të cilën gjyqtarja Fatime Dërmaku ka thënë se janë njoftuar nga Policia e Kosovës se dëshmitarja bashkëpunuese Adelina Gashi jeton në Republikën e Sllovenisë dhe e njëjta është njoftuar për mbajtjen e seancës. Por, kjo e fundit kishte thënë se për shkaqe shëndetësore të djalit të saj nuk mund të jetë prezente në seancën e datës 10.01.2025.
Krytarja e Trupit Gjykues Fatime Dërmaku, tutje, ka thënë se edhe gjatë ditës së sotme Gjykata ka tentuar disa herë të komunikojë me dëshmitaren bashkëpunuese përmes telefonit, mirëpo e njëjta nuk i është përgigjur thirrjes së Gjykatës.
Ndërkaq lidhur me këtë, prokurori Eset Rama ka thënë se do të insistojnë përsëri që ta sigurojnë prezencën e dëshmitares bashkëpunuese për seancën e radhës dhe nëse kjo formë nuk është e mundur, atëherë do të propozojnë rrugën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
Prokurori Rama ka thënë, tutje, se konsideron se është e domosdoshme dëshmia e dëshmitares bashkëpunuese Gashi, propozoi ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor dhe të caktohet një datë tjetër.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Enver Fazliu, avokati Bekim Kafexholli ka thënë se edhe në seancën e kaluar e kanë kontestuar legjitimitetin e marrjes në pyetje të dëshmitares bashkëpunuese, ngase e njëjta është marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, duke thënë se kjo dëshmi është marrë përmes video-linkut pa prezencën e organeve kompetente në vendin nga është marrë deklarata.
Avokati Kafegjolli tha, tutje, se edhe nëse sigurohet prezenca e dëshmitares bashkëpunuese Adelina Gashi, dëshmia e saj nuk do të prodhojë efekt juridik.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Naser Llugaliu, avokati Hamdi Ibrahimi i propozoi Gjykatës që të marrë Vendim që të bëjë revokimin e Vendimit për shpalljen e Adelina Gashit si dëshmitare bashkëpunuese. Këtë propozim të avokatit Hamdiu e refuzoi Trupi Gjykues.
Trupi Gjykues e aprovoi propozimin e prokurorit Rama për ndërprerjen e seancës dhe obligoi Prokurorin që në seancën e radhës të sigurojë prezencën e dëshmitares Adelina Gashi.
Seanca e radhës, për këtë çështje penale, u caktua për në muajin mars 2025.
Trupi Gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Fatime Dërmaku, kryetare dhe antarët, Naser Foniqi e Ertan Sejfulla.
Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?
Sipas Aktakuzës së ngritur më 31.03.2019, i pandehuri Naser Llugaliu (në pozitën e Koordinatorit të Qendrës së Patentë-shoferëve në Prishtinë), e pandehura Filloreta Ajvazi (në pozitën e Asistentes administrative të kësaj Qendre), Fejzullah Ejupi (në pozitën e Zyrtarit Administrativ në këtë Qendër), i pandehuri Shaban Zuka (në pozitën e Rojës së sigurimit të kësaj Qendre), si dhe të pandehurit, Adem Binakaj, Leuart Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi dhe Besfort Pozhegu (në pozitën e Ekzaminerëve të provimit teorik apo praktik, në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës) kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në vazhdimësi dhe të njëjtit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin kanë bërë korrigjimin e testeve teorike, në zyrat e tyre pa monitorim të kamerave dhe pa Komisionin mbikqyrës.
Të njëjtit, sipas Aktakuzës, kanë mundësuar kalimin e kandidatëve për patentë-shoferë pa i plotësuar poenat e paraparë për kalueshmëri, ku kandidatëve të caktuar ua kanë plotësuar testet teorike, si dhe në disa raste ndërhyjnë në testet e kandidatëve, me qëllim që të njëjtit të kenë pikët e nevojshme për të kaluar testet për patentë shoferë të kategorive të ndryshme. E po ashtu edhe për kryerjen e provimit në pjesën praktike. Në këtë mënyrë i kanë sjellë vetes përfitime materiale.
Me këtë rast të njëjtit akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje”.
Sipas Dispozitivit të Dytë të Aktakuzës, i pandehuri Avdush Topalli, pronar i Autoshkollës “Flora” në seli në Prishtinë, ndërsa i pandehuri tjetër Premtim Topalli në pozitën e Instruktorit në të njëjtën Autoshkollë, njëherësh edhe djali i të pandehurit të parë, në cilësinë e subjektit të sektorit privat, në mënyrë të drejtëpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar.
Të njëjtit akuzohen se u kanë mundësur kandidatëve të cilët kanë qenë të interesuar për t’u pajisur me patentë shoferë të kategorive të ndryshme, kryesisht të kategorisë “D” duke iu marrë të holla nga 100 deri 1,000 euro, në atë mënyrë që në bashkëpunim edhe me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës – Departamenti i Patentë-shoferëve në Prishtinë, të pandehurve të lartpërmendurve u kanë mundësuar kandidatëve kryerjen e testit teorik dhe praktik, duke u dhënë të holla.
Me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Tutje, sipas Aktakuzës, e pandehura Flora Ferizi si Asistente administrative në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë, nuk e ka lajmëruar veprën penale të cilën e ka mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së saj, edhe pse ka qenë në dijeni dhe ka qenë e pranishme, kur kanë ndodhur shumë veprime inkriminuese.
Me çka e pandehura Flora Ferizi ka kryer veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Sipas Aktakuzës, të pandehurit Avdush Topalli, Premtim Topalli dhe Burim Jashari kanë lëshuar dokument në emër të personit tjetër pa autorizimin e tyre, respektivisht Certifikatë mjekësore, në të cilën kanë figuruar edhe nënshkrimet e disa mjekëve, në atë mënyrë që i pandehuri i tretë në cilësi të menaxherit në ordinancën “TRURI” me seli në Prishtinë në bashkëpunim me të pandehurin e parë, pronar të Autoshkollës “Flora” dhe të pandehurin e dytë, Instruktor nga kjo Autoshkollë iu kanë mundësuar kandidatëve që të pajisen me Certifikata mjekësore, pa qenë fare prezent.
Me çka me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.
Të pandehurit Naim Thaqi dhe Sylë Bejta po akuzohen se më 15.05.2019 si persona zyrtarë kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare, në atë mënyrë që në cilësinë e personave zyrtarë, të dy zyrtarë policorë, në mënyrë të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ashtu që pandehuri Naim Thaqi, derisa ka qenë në takim në zyrë me të pandehurin Naser Llugaliu, i cili mbante pozitën e koordinatorit të Qendrës për Patentë-shoferë në Prishtinë e njofton fillimisht atë në lidhje me një rast, i cili ishte duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, i cili rast ishte dhe atë duke e njoftuar në hollësi në lidhje me atë se çka kishte deklaruar në Polici personi i dyshimtë, si dhe duke e udhëzuar të pandehurin Llugaliu si të veprojë ai, nëse i kërkohet ndonjë dokument në lidhje me këtë rast.
Po ashtu, në Aktakuzë thuhet se i pandehuri i parë e njofton të pandehurin Llugaliu, se në bazë të tremujorit ata kanë kërkuar edhe 60 ditë shtesë, ndërsa i pandehuri i dytë, më 25 qershor 2019, në bashkëveprim me të pandehurin e parë, gjatë takimit që kanë pasur me të pandehurin Llugaliu në zyrën e tij, i pandehuri i dytë fillimisht i kishte kërkuar që për një kandidat për patent-shofer ta ndihmojë për ta kaluar për shkak se të njëjtin i kishte thënë se e ka familjar.
Tutje, më pas të njëjtin e informon që të ketë kujdes sepse në atë zyrë mund të ketë diçka.
Me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Aktakuzës së Prokurorisë, në Dispozitivin e Pestë Pika 2 të pandehurit Naim Thaqi dhe Sylë Bejta, pa autorizim, ia kumtojnë personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare, ashtu që i pandehuri i parë më 15 maj 2019, derisa kanë qenë në takim me të pandehurin Naser Llugaliu i cili mbante pozitën e Koordinatorit të Qendrës për Patentë-shofer në Prishtinë, ndaj të cilit ishin duke u zbatuar masat e fshehta të hetimit në bisedë e sipër, të njëjtin e informojnë lidhur me veprimet hetimore që janë ndërmarrë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në një rast.
Dy të pandehurit, gjatë takimit që kanë pasur me të pandehurin Llugaliu në zyrën e tij, gjatë bisedës në mes tyre të njëjtin e pyesin fillimisht nëse ka diçka në zyrë të vendosur, e më pastaj e informojnë atë se janë duke u përcjellë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, duke njoftuar të njëjtin se janë angazhuar nga Policia, njësitë përcjellëse dhe se masat e fshehta janë vazhduar edhe për 60 ditë tjera, andaj duhet të jetë i kujdesshëm në veprimet e tij.
Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
Sipas Dispozitivit të Gjashtë të Aktakuzës, i akuzuari Ekrem Latifi akuzohet se në cilësinë e Ekzaminerit pranë Ministrisë së Infrastrukturës – Departamenti i Patentë-shoferëve i ka dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të tërthortë personit zyrtar, të akuzuarit Naser Llugaliu në mënyrë që ai person të veprojë ose jo, në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që në ditën kritike të njëjtit përmes një personi i kishte dhënë 250 euro të vendosura në zarf, me një emër të kandidatit të shkruar në letër, që ka pasur të hyjë në provim për Patentë-shofer atë ditë.
Nga këto veprime i pandehuri Ekrem Latifi akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënie e ryshfetit”.
Sipas Aktakzuës, Dispozitivit të Shtatë të saj, i pandehuri Bashkim Jetullahu akuzohet se në cilësinë e Autoshkollës “8 Marsi” në Prishtinë, si person i punësuar në këtë Autoshkollë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe ka marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij, ashtu që nga një kandidat për patentë-shofer ka pranuar 100 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin praktik për patentë-shofer – duke e udhëzuar të njëjtin që nëse nuk e jep atë shumë të të hollave do ta rrëzojë në testimin e vozitjes.
Nga këto veprime i pandehuri Ekrem Latifi akuzohet se ka kryer veprën penale “pranim i ryshfetit në sektorin privat”.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, Dispozitivit të Tetë të saj, i pandehuri Dritmir Islami akuzohet se në cilësinë e Instruktorit të Autoshkollës “Abis” në Prishtinë ka kërkuar drejtpërdrejt dhe ka marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij, ashtu që nga një kandidate për patentë-shofer dhe bashkëshorti i saj ka pranuar 600 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin për patentë-shofer – sipas udhëzimeve të tij.
Nga këto veprime i pandehuri Dritmir Islami akuzohet sa ka kryer veprën penale “pranim i ryshfetit në sektorin privat”.
Në Dispozitivin e Nëntë të kësaj Aktakuze, i pandehuri Murtez Rama po akuzohet se në cilësinë e Instruktorit në Autoshkollën “Rinasi” me seli në Drenas, me dashje ka ndihmuar personat e tjerë në kryerjen e veprave penale, respektivisht Avdush dhe Premtim Topalli, ashtu që me veprimet e të njëjtëve u ka dhënë pajisje për të kryer veprën penale, si dhe atë kandidatëve që kanë pasur të hyjnë në teste teorike për patentë-shofer u ka vendosur mjete të fshehta fotografuese (stilolaps me kamerë), përmes të cilit ka arritur që të nxjerrë teste dhe të njëjtat ua ka dërguar të akuzuarve Avdush dhe Premtim Topallit, të cilat janë gjetur me rastin e ekzaminimit të telefonit të tyre.
I njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënie ndihme në kryerjen e veprës penale”, si dhe veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Tutje, sipas Dispozitivit të Dhjetë, i pandehuri Hasan Hasani akuzohet në cilësinë e kandidatit për aftësim profesional për patentë shofer, i regjistruar në Autoshkollën “Fati” në Prishtinë, i ka ofruar në mënyrë të tërthortë shpërblim ose përfitim të panevojshëm instruktorit të kësaj Autoshkolle Milazim Demolli, në shumën prej 450 eurosh, në ditën kur kishte hyrë në test për patentë-shofer, e që ishin marrë vesh që ai t’i plotësojë vetëm disa pyetje, kurse pjesën tjetër të testit ta lërë të zbrazët.
Me këtë rast i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënie të ryshfetit në sektorin privat”.
Sipas Dispozitivit të Njëmbëdhjetë të kësaj Aktakuze, i pandehuri Milazim Demolli akuzohet se në cilësinë e punonjësit të Autoshkollës “Fati” në Prishtinë, si person i cili ka qenë i punësuar në këtë Autoshkollë, në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe ka marrë dhuratë të pamerituar dhe ka keqpërdorur pozitën e tij – duke marrë shpërblim për veten e tij.
Në këtë Dispozitiv të Aktakuzës thuhet se kandidati për patentë-shofer Hasan Hasani ka pranuar shumën e të hollave prej 450 eurosh për ta ndihmuar që ta kalojë testin teorik – duke e udhëzuar atë që me rastin e nënshtrimit të testit t’i plotësojë vetëm dy përgjigje e të tjerat t’i lërë të zbrazëta.
I njëjti thuhet se më 02 korrik 2019 shkon në zyrën e të pandehurit Naser Llugaliu dhe së bashku me të i shikojnë listat e kandidatëve të cilët kanë për t’iu nënshtruar dhe së bashku e identifikojnë kandidatin Hasan Hasani,
Me këtë, i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Në Dispozitivin e Njëmbëdhjetë në Pikën e Dytë thuhet se më 02 maj 2019, si punëtor i Autoshkollës “Fati” në Prishtinë i ka ofruar dhe i ka dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë për vete apo tjetrin personit zyrtar Naser Llugaliu, në atë mënyrë që i njëjti të veprojë ose të mosveprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare,
Me këtë rast, i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.
Tutje, sipas Dispozitivit të Dymbëdhjetë të kësaj Aktakuze, e pandehura Lindita Hoxha akuzohet se nga data 27 qershor 2019 e deri më 05 korrik 2019, në cilësinë e Instruktores për aftësim profesional për patentë-shofer në Autoshkollën “Atlantida”, në vazhdimësi i ka ofruar dhe i ka dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë për vete apo tjetrin personit zyrtar Naser Llugaliu, koordinator i Qendrës për Patentë-shoferë në Prishtinë, në mënyrë që i njëjti të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
Me këto veprime e pandehura Lindita Hoxha po akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit në vazhdimësi”.
Sipas Dispozitivit të Trembëdhjetë të kësaj Aktakuze, i pandehuri Enver Fazliu në cilësinë e Instruktorit të Autoshkollës “AAB” në Prishtinë si person i punësuar në këtë subjekt të sektorit privat, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdorur pozitën e tij – duke marrë shpërblim për veten e tij.
Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se nga një kandidate për patentë-shofer e ka pranuar shumën e të hollave prej 450 eurosh, për ta ndihmuar që ta kalojë testin teorik për patentë-shofer, duke e udhëzuar atë me rastin e mbushjes së testit që ajo t’i shkruajë vetëm të dhënat personale në test dhe pjesën tjetër të testit ta lërë të zbrazët dhe e njëjta ashtu edhe kishte vepruar dhe kishte arritur që ta kalojë testin për patentë-shofer.
Me çka i pandehuri Enver Fazliu po akuzohet për veprën penale “pranim i ryshfetit në sektorin privat”.