Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi ndaj menaxherit të prokurimit në Dragash

Në mungesë të dëshmitarit Shaban Shabani, ka dështuar që të vazhdojë seanca e paraparë ndaj zyrtarit të prokurimit të Komunës së Dragashit, Nuro Ismaili.

Nga kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi u bë e ditur se dëshmitari në fjalë përmes parashtresës së dorëzuar e kishte njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të merr pjesë në seancë.

Tutje dëshmitari përmes ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

Në mungesë, të kushteve ligjore gjykimi i sotëm nuk u mbajt i njëjti u shty për muajin dhjetor.

Sipas aktakuzës gjatë  vitit 2019, i pandehuri si person përgjegjës menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për persona tjerë.

Tutje, aktakuza përshkruan se në cilësinë e menaxherit në zyrën e prokurimit Nuro Ismaili vepron në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik nr.04/L-042 konkretisht neni 57 par 1, ashtu që dështon të konfiskon sigurinë e tenderit me nr. 621-19-1413-1-1-1 i dt, 05.05.2019 në shumë prej 3,000 euro për furnizim me dru dhe pelet nga Operatori ekonomik (Avni Murtezi) B.I. i cili nuk arrin të siguroj një vërtetim nga ATK-ja që ka pagur tatimin dhe nga Gjykata Ekonomike që nuk është gjykuar si person juridik dhe kështu lidhet kontrata me Operatorin më të shtrenjtë për 25.680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës.

Me këto veprime, Nuro Ismaili ngarkohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Lidhur me akuzën, Ismaili në seancën e shqyrtimit fillestar me datë 9 shkurt 2021 ishte deklaruar i pafajshëm.

Po ashtu, Ismaili me datën 9 mars gjykatës ia ka dorëzuar  kërkesën me shkrim për hedhje të aktakuzës dhe i njëjti përsëri kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Në anën tjetër përfaqësuesi i  prokurorisë Mehdi Sefa, kishte kërkuar nga gjykata që ta refuzoj kërkesën e të akuzuarit Ismaili për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, pasi që ajo ishte krejtësisht e pabazuar.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë – LINK