Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi ndaj ish rektorit Ramë Vataj

 

Në gjykatën e Prizrenit ka dështuar që të mbahet seanca e paraparë ndaj ish rektorit të universitetit “Ukshin Hoti”.

Ramë Vataj, sipas aktakuzës ngarkohet se në cilësinë e ish rektorit ia ka cenuar të drejtën e punësimit kandidatit Vehbi Miftari.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të dëgjohej dëshmitari Adem Sallauka ish sekretar i këtij universiteti. Mirëpo, i njëjti me anë të parashtresës e ka njoftuar gjykatën se nuk mundë të paraqitet në gjykim me arsyetimin se është i angazhuar në Konsullatën e Tiranës.

Lidhur me këtë çështje, prokurori i rastit Shahedin Destani dhe i dëmtuari Vehbi Miftari, kanë qëndruar pranë kërkesës për dëgjimin e dëshmitarit Sallauka, me arsyetimin se i njëjti në kohën kur ka ndodhur rasti i ka qenë sekretar në këtë universitet

Pas kësaj, gjykatësi Fatmir Krasniqi mori vendim që seanca e sotme të mos mbahet e njëjta të caktohet për datën 22 tetor 2021.

Për akuzën në fjalë në seancën e shqyrtimit fillestar me datë 17 dhjetor  2020, Ramë Vataj ishte deklaruar i pafajshëm dhe nuk e kishte pranuar fajësinë.

Vataj, po ashtu kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat ishin kryer në Universitet, duke pretenduar se procedura e punësimit kalon në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Tutje nga seancat e kaluara në muajin qershor dhe shtator gjykimi ka vazhduar me dëshmi të dëshmitarëve.

Ne mesin e dëshmitarëve ishin dëgjuar edhe dy inspektorë, ai i drejtorisë dhe ministrisë së Arsimit.

 

Sekretari i Universitetit dhe inspektori i Arsimit, dëshmojnë në gjykimin ndaj ish rektorit Ramë Vataj

 

Në këtë seancë,  kryeinspektori i arsimit Dëfrim Gashi kishte deklaruar se vendimin e lëshuar nga ana e inspektorit Rexhep Jakupi drejtuar universiteti ‘Ukshin Hoti’ që ta rishqyrtojë konkursin është dashur ta zbatojë rektori i universitetit Ramë Vataj.

Aktakuza ndaj ish rektorit Ramë Vataj ishte ngritur me 10 qershor 2020, ku sipas Prokurorisë Vataj, akuzohet se nga data 30 shtator 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia kishte mohuar apo kufizuar personave të tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Po ashtu sipas Prokurorisë, ish rektori nuk e kishte zbatuar vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016.

Sipas aktakuzës, Vataj në atë vendim ishte urdhëruar të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë.