Zoran Gjukiq (në këmbë) gjatë seancës për krime lufte. Foto: Kallxo.com

Mungon avokati, nuk mbahet seanca për vrasjen e 33 shqiptarëve në Pejë gjatë luftës

Zoran Gjukiq, akuzohet nga Prokuroria Speciale sepse në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen  ‘’Kristal’’ të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psikikisht, i kishin detyruar të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.

I akuzuari Zoran Gjukiq gjendet në paraburgim nga muaji shkurt i këtij viti.

Shkak për mosmbajtjen e seancës së sotme ishte mungesa e avokatit Lubomir Patoviq, mbrojtës i të akuzuarit, i cili edhe pse ishte thirrur me rregull, nuk e kishte arsyetuar mungesën.

Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti tha se nëse avokati Lubomir Pantoviq, nuk e arsyeton mungesën, ai do të dënohet.

Seanca e radhës u caktua për 4 dhjetor.

Paraburgim për serbin e dyshuar për ndihmë në vrasjen e 33 civilëve shqiptarë në Pejë

Në qershor të këtij viti, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Z.Dj, nga Peja, me vendbanim aktual në Beograd, për kryerje të krimeve të luftës gjatë vitit 1999.

Gjithmonë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Z. Dj, së bashku me një grup të organizuar kriminal gjatë muajit mars- prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptar, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre i kanë malltretuar fizikisht dhe psiqikisht si dhe i kanë vrarë ata.

“I pandehuri Z.Dj., gjatë muajit  mars – prill  të vitit 1999, në  lagjen Kristal  të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të nacionalitetit serbë, të veshur  me uniforma  policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor/shëndetit, aplikim i masave të frikësimit ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitje e një qyteti ose e një vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejtë në konflikt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sipas prokurorisë, me ketë i pandehuri Z.Dj., ka kryer veprat penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë” si dhe “Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.

Ngritet aktakuzë për krime lufte në Pejë