Arkiv

Mungon avokati i njërit prej të akuzuarve, nuk dihet nëse do të nis seanca në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq shtyhet për disa minuta sepse avokati Mahmut Halimi, mbrojtës i të akuzuarit Marko Roshiq, ka munguar në seancë për shkaqe shëndetësore.

Gjykatësi Valon Kurtaj e ka dërguar seancën në pushim prej 15 minutash në pritje të një avokati që do të mund të zëvendësonte avokatin Halimi.

Trupi gjykues pritet të vendosë nëse do të pranohet zëvendësimi në momentin e fundit, apo do të duhet t’i anulojnë seancat e kësaj jave dhe të caktojnë data të tjera.

Roshiq është një nga gjashtë të akuzuarit në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, më 16 janar 2018 përballë zyrave të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Deri më sot, kjo vrasje nuk është ndriçuar.

Kujtojmë që Prokuroria po akuzuon Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, në cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP.

Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato.

Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr gëzhojën, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Katër vjet pas, vrasja e Oliver Ivanoviqit mbetet mister