Mungojnë të dëmtuarat, shtyhet gjykimi për trafikim me njerëz

 

 

Në mungesë të pesë të dëmtuarave, ka dështuar që të mbahet seanca e paraparë të mbahej dot ndaj të akuzuarit B. D.

B. D., nga prokuroria po ngarkohet për veprat penale trafikim me qenie njerëzore dhe posedim i narkotikëve.

Sipas kryetares së trupit gjykues Ajser Skenderi, e dëmtuara B. A., J. C., dhe S. V., sipas fletëkthesës nuk banonin në këtë adresë.

Kurse, të dëmtuarat A. S., dhe M. G., gjykata nuk pati provë se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Duke i patur parasysh këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore me propozimin e prokurorit të shtetit Genc Nixha dhe avokatit Nexhat Elshani gjykimi u anulua.

Seanca e radhës u caktua për datën 24 nëntor 2021.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më parë për këtë rast.

I akuzuari B. D., në seancën e kaluar me datë 29 qershor 2021, kishte kërkuar nga prokuroria  arritjen eventuale të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.

Tutje, nga gjykata kishte kërkuar që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak. Për këtë, në emër të dorëzanisë i akuzuari ishte i gatshëm t’ia parashtrojë gjykatës listën poseduese të shtëpisë si garancion se nuk do të largohet derisa të përfundojë procedura penale.

Prizren, i akuzuari për trafikim me njerëz ofron shtëpinë si garanci për të siguruar masën e arrestit shtëpiak

Sipas aktakuzës së atëherë Prokurorisë së Qarkut të Prizrenit, B. D., gjatë muajit korrik – shtator 2010, me qëllim të shfrytëzimit seksual të të dëmtuarave B. A., A. S., M. G., J. C. dhe të miturën, i jep 500 euro të pandehurës S. K.,  që të ketë marrëdhënie seksuale me një të afërm të tij, të pandehurin A. C., nga Prishtina, me ç’rast ka shfrytëzuar të dëmtuarat seksualisht.

Për këtë, nga Prokuroria akuzohet se ka kryer veprën trafikimi me njerëz.

Po ashtu, i pandehuri A. C., në bashkëveprim me B. D., pa autorizim i kanë shpërndarë dhe ofruar substanca narkotike të dëmtuarës V., vajzës së mitur të të pandehurës S., dhe të dëmtuarës B. A., të cilat kanë qenë të strehuara në banesën e saj. Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë shpërndarë substanca narkotike edhe disa personave të tjerë të gjinisë femërore që gjendeshin në shtëpinë e të pandehurës S. K.

Me këtë B. D., dyshohet se ka kryer veprën blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.

Në këtë çështje penale,  fillimisht kanë qenë të akuzuar edhe S. K., A. K., I. Th., N. K., A. B., H. H., dhe A. C.,  për veprat penale trafikim me njerëz, mundësi të prostitucionit, si dhe për blerje dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Me aktvendim të 19 majit 2013 ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarit B. D. pasi atëkohë s’kishte pasur mundësi të sigurohet prania e tij në gjykim

Rasti ndaj të akuzuarit B. D., është në rigjykim.

Më 27 qershor 2011, Gjykata e atëhershme e Qarkut të akuzuarin e lartcekur lidhur me veprat penale trafikimi me qenie njerëzore dhe posedim të narkotikëve e kishte dënuar me dënim unik prej 2 vite e 5 muaj burgim.

Të pakënaqur me këtë vendim, mbrojtësi Naim Qelaj kishte bërë ankesë lidhur me shkeljen e dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.

Gjykata Supreme, më 2 maj 2012, pas shqyrtimit të ankesave kishte konstatuar se të përfshirë në këtë rast, kanë qenë edhe fëmijë të mitur, për çka në rastin konkret, trupi gjykues nuk ka qenë i përbërë sipas dispozitave ligjore si dhe për veprën e trafikimit me njerëz dënimi ishte i paraparë nga 3 vite deri në 15 vite burgim.

Andaj, për shkaqet e lartcekura aktgjykimi ishte anuluar dhe lënda u kthye në rigjykim.