Mungojnë të akuzuarit, shtyhet gjykimi për vrasjen e Abedin Bytyqit në Suharekë

Në mungesë të të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit ka dështuar që të mbahet seanca për vrasjen e Abedin Bytyqit, në fshatin Peqan të Suharekës më 2016.

Abedin Bytyqi nga Suhareka, u zhduk në tetor të vitit 2016, e pas tre muajve, trupi i tij u gjet në një mal i groposur e i djegur.

Për këto akuza, Prokuroria në nëntor të vitit 2021 për të dytën herë i shpalli fajtor tre të akuzuar Murat Ademin, Resmije Bytyqin dhe Fadil Fetiun duke i dënuar me 57 vite burgim.

Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Të enjten, në këtë gjykim nga paraburgimi nuk u sollën dy të akuzuarit, Murat Ademi dhe Resmije Bytyqi.

Lidhur me këtë, kryetari i trupi gjykues, Artan Sejrani arsyetoi se njësitet për transportin e të paraburgosurve nuk e kanë pranuar kërkesën për sjelljen e të akuzuarve.

“Njësitet zyrtare të transportit të paraburgosurve më informuan se nuk e kanë pranuar kërkesën për sjelljen e të akuzuarve. Nga shkresat e lëndës ekziston se të njëjtit janë njoftuar, por pse ftesa nuk i ka shkuar përmes email-it nuk kemi informacion”-tha Sejrani.

E të pranishëm në rigjykim nuk qenë as dëshmitari Naim Grulaj për të cilin Gjykata nuk pati provë se e ka ftuar në mënyrë të rregullt, kurse i dëmtuari Eleonit Bytyqi gjendej në Gjermani.

Në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi i sotëm nuk u mbajt.

Ai i radhës u caktua për më 25 dhe 31 janar 2023.

Abedin Bytyqi nga Suhareka, u zhduk në tetor të vitit 2016, e pas tre muajve, trupi i tij u gjet në një mal i groposur e i djegur.

Sipas Prokurorisë, Murat e Reshat Ademi, kushërinjtë e Resmijë Bytyqit, e cila është edhe bashkëshortja e viktimës dhe Fadil Fetiu, kishin bashkëpunuar për ta privuar nga jeta Abedin Bytyqin.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të xhaxhait ku ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Kështu, të akuzuarit Murat Ademi, për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë të ndjerin Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata i shqiptoi 20 vite burgim, të akuzuarit Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e veprës penale gjykata i shqiptoi 12 vite burgim.

Kurse, i akuzuari Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

I njëjti dënim ishte marrë edhe në vitin 2021, por vendimi i Themelores nuk e kishte marrë aprovimin e Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero.

Pas kthimit të çështjes në rigjykim, është ndërruar edhe trupi gjykues, ku rastin do ta kryesojë gjykatësi Artan Sejrani, si kryetar i trupit gjykues me anëtarët Kimete Kicaj dhe Baki Shigjeqi.

KALLXO.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e gjykimit për vrasjen e rëndë– LINK