Foto-ilustrim

Mungojnë eksperti dhe 3 të akuzuar, dështon seanca e gjykimit të ish-vozitësve të AKP-së

Në mungesë të kushteve ligjore sërish ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Abdurrahim Avdyli, Amir Demolli, Ejup Gashi, Istref Dragusha, Arsim Leci, Petrit Gjoka dhe Nexhat Gjoka, akuzohen se si ish-vozitës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit e kanë dëmtuar buxhetin e këtij institucioni për disa mijëra euro duke paraqitur fatura fiktive për furnizimin e automjeteve me karburant.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e ekspertit financiar, Mentor Prekazi dhe e 3 të akuzuarve Abdurrahim Abdyli, Petrit Gjoka dhe Nexhat Gjoka. Ndonëse këta të fundit ishin ftuar në mënyrë të rregullt, mungesën nuk e kishin arsyetuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Abdurrahim Abdyli, avokati Asdren Hoxha, tha gjatë seancës se vetëm kur ka hyrë në sallë e ka vërejtur se i mbrojturi i tij nuk është i pranishëm.

Ai tha se i ka telefonuar klientit të tij dhe se ai i kishte thënë se ka menduar që seanca është për datën 28 janar.

“Mirëpo, nëse kërkon Gjykata, ai do të vijë menjëherë, më së shumti për një orë”, tha avokati.

Sa i përket ekspertit financiar, Mentor Prekazi, ai ishte propozuar të dëgjohej në Gjykatë nga mbrojtësi i të akuzuarit Istref Dragusha, avokati Fis Murati.

Në këtë seancë, prokurorit të shtetit, të akuzuarve, mbrojtësve dhe palës së dëmtuar Gjykata ua dorëzoi nga një kopje të ekspertizës financiare të plotësuar të datës 23.10.2019.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Foniqi deklaroi se palët që munguan në seancë do të ftohen në mënyrë të rregullt e në rast të nevojës për ta do të lëshohet edhe urdhëresë për sjellje me shoqërim.

Seanca e radhës u caktua për më 16.3.2020.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Abdurrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha nga data e papërcaktuar e deri në përfundim të vitit 2013, në cilësinë personave zyrtarë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Amir Demolli ishte mbikëqyrës i transportit dhe vozitës, ndërsa Abdurrahim Abdyli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha ishin vozitës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe anëtarë të komisionit për verifikimin e faturave për furnizimin me derivate të automjeteve zyrtare të këtij institucioni.

Ata akuzohen se kanë siguruar e më pastaj kanë prezantuar fatura fiktive se gjoja kanë mbushur me derivate të naftës në “Hib Petrol” dhe te nënkontraktori i kësaj kompanie – “Fer Petrol”, me seli në Komoran dhe Drenas, veturat zyrtare të AKP-së, komisionit, anëtarë të të cilit kanë qenë ata në mënyrë rotative, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së në vlerë rreth 7.659.00 euro.

Me këtë, sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë kryer në vazhdimësi veprën penale keqpërdorim  i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza thekson po ashtu se i akuzuari Abdurrahim Abdyli ka vazhduar me kryerjen e veprës penale.

Prokuroria pretendon se në periudhën kohore janar- mars të vitit 2014, në zyrat e AKP-së në Prishtinë,  në cilësinë e personit zyrtar – vozitës me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete në mënyrë të  kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën zyrtare në atë mënyrë që më parë është furnizuar e më pastaj në mënyrë të rrejshme ia ka prezantuar faturat komisionit, me të cilat gjoja se ka furnizuar me derivate automjetet zyrtare, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e AKP-së në shumën rreth 2.800 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit Petrit Gjoka, Nexhat Gjoka nga data e papërcaktuar e deri në muajin mars të vitit 2014, në pikat e shitjes së kompanisë “Hib Petrol” dhe nënkontraktorit të saj “Fer Petrol”, të pandehurit Petrit Gjoka në cilësinë e menaxherit ndërsa Nexhat Gjoka në cilësinë e shitësit në ”Fer Petrol” kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke iu lëshuar fatura fiktive të pandehurve Amir Demollit, Arsim Lecit, Ejup Gashit dhe Istref Dragushës, vozitës në AKP, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së në shumën 10.459.00 euro.

Me këtë secili veç e veç në vazhdimësi kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria: Ish-vozitësit e dëmtuan buxhetin e AKP-së me fatura fiktive