Foto: KALLXO.com

Mungojnë dëshmitarët, shtyhet seanca ndaj pylltarit të akuzuar për marrje ryshfeti

Seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve, Ismet Tahiri dhe Sylë Fejza, ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Mitrovicës.

Ismet Tahiri nga Prokuroria akuzohet për marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës, Tahiri këtë vepër e kishte kryer gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2016 në fshatin Zabërxhë të Mitrovicës, ku ka pranuar përfitime-para për vete nga personi Nimon Fejza.

Tahiri ishte person zyrtar – pylltar dhe sipas akuzës ai nuk ka vepruar në përputhje me detyrat e tij duke lejuar që personi Nimon Fejza pa lejen përkatëse të priste dru në vendin e quajtur “Te kërshat e këqij“ fshati Zabërxhë më qëllim që t’i shiste në Mitrovicë.

Ndërsa Nimon Fejza pas çdo transporti të druve i dorëzonte të pandehurit Tahiri nga 50 euro.

Këtë shumë i pandehuri e kishte pranuar së paku në katër raste, dy herë në fshatin Melenicë dhe dy herë të tjera në Mitrovicë. Ndërsa shuma e parave të kërkuara sipas akuzës rezulton të jetë 200 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – marrje ryshfeti.

Përveç kësaj, i pandehuri Ismet Tahiri akuzohet edhe për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.

Kjo për shkak se ai si zyrtar në cilësinë e pylltarit ka lejuar që të prehet pylli në vendin e quajtur “Te kërshat e këqij“, që është nën mbikqyrje të APK-së.

Ndërsa, në këtë rast Nimon Fejza kishte arritur që së paku në katër raste drutë e prera në vendin e lartcekur t`i bartte me kamion dhe t`i shiste në Mitrovicë në vlerë prej 500 euro.

I akuzuari Tahiri përveç që ka përfituar personalisht dhe i ka siguruar përfitim personit Nimon Fejza, në të njëjtën kohë i ka shkaktuar dëme Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Kurse, i akuzuari Sylë Fejza akuzohet së në qershor të vitit 2016, gjithashtu në fshatin Zabërxhë të Mitrovicës, me kanosje serioze ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas akuzës, ai kishte kanosur pylltarët Ismet Tahiri (tashmë i pandehur) dhe Ramadan Salihu, të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare.

I pandehuri Fejza me automjetin ‘Xhip’ dhe me një motokultivator kishte dalë në rrugë dhe ua kishte bllokuar rrugën. Pasi zbret nga motokultivatori, duke e mbajtur dorën në xhep, i drejtohet zyrtarit Ismet Tahirit me fjalët: “Ku je ti o q**, kujna ja bllokon rrugën kam me të bo shoshë, kam me të vra, kam me ta pre kryet“, dhe i vërsulet pylltarit Ismet Tahiri.

Më këtë Fejza akuzohet se ka kryer veprën penale – pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Seanca gjyqësore ndaj të lartcekurve ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së dëshmitarëve Sead Azemi, Qamil Hajra dhe Ramadan Salihu, të cilët ishin planifikuar të dëgjoheshin në këtë seancë, mirëpo nuk i ishin përgjigjur ftesës së Gjykatës dhe as nuk e kishin arsyetuar mungesën.

Kurse meqenëse i pandehuri Sylë Fejza e kishte pranuar fajësinë për veprën me të cilën akuzohet që në seancën e shqyrtimit fillestar, kryetari i trupit gjykues Radosllav Markoviq ka propozuar që ndaj tij të veçohet procedura penale dhe të dërgohet në Departament të Përgjithshëm.

“Edhe pse e ka pranuar fajësinë i pandehuri Sylë Fejza nuk mund të marrim vendim me procedurë të veçuar pasi e njëjta është në kompetencë të Departamentit të Përgjithshëm”, ka thënë Markoviq.

Për shkak të veçimit të procedurës ndaj të akuzuarit Syla, gjykatësi Markoviq ka deklaruar se më nuk është i nevojshëm as dëgjimi i dëshmitarit Ramadan Salihu sepse deklarata e tij kishte të bëjë me veprën penale të cilën e ka kryer i pandehuri Fejza.

Por, pas mungesës së dëshmitarëve Azemi dhe Hajra nuk ka pasur kushte ligjore për mbajtjen e seancës.

Seanca e sotme është shtyrë ndërsa ajo e radhës është caktuar për më gjashtë korrik.

Gjyqtari Markoviq ka njoftuar se dëshmitarët Azemi dhe Hajra do të sillen përmes Policisë në Gjykatë.