Mungoi gjyqtari, dështon seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, është dashur të dalë edhe sot para gjykatësit për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë së Pejës. Por që seanca ndaj tij dështoi të mbahet.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e njërit anëtar të trupit gjykues, i cili kishte probleme shëndetësore.

Arsyen e dështimit të seancës për Kallxo.com e konfirmoi zyrtarja për informim në Gjykatën e Ferizajt Albënora Bekteshi.

Naser Pajazitaj akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, e cila ishte duke shkuar në punë.

Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën me ç`rast e kishte dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila ishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Tutje, Gjykata e Pejës kishte kërkuar qe të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast – LINK