Mungesa e njërit të akuzuar e pamundëson mbajtjen e seancës në rastin 'Veteranët'
Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit Agim Çeku dhe të tjerëve në rastin e njohur “Veteranët” për shkak të mungesës të akuzuarit Shukri Buja.
Arsyeja pse mungoi i akuzuari Shukri Buja sipas mbrojtësit të tij, avokatit Fadil Jashari, ishte për arsye shëndetësore. Buja sipas avokatit të tij mbrëmë e kishte njoftuar përmes email-it se nuk do të mundet të paraqitet në seancën e sotme.
Avokati Fadil Jashari nuk i paraqiti gjykatës ndonjë dokument shëndetësor për të vërtetuar gjendjen e të mbrojturit të tij andaj gjyqtari Gazmend Bahtiri kërkoi që i akuzuari Buja dhe mbrojtësi i tij t’i paraqesin Gjykatës dëshmi për të arsyetuar mungesën.
Meqenëse nuk kishte kushte për mbajtjen e kësaj seance kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri e ndërpreu seancën e sotme dhe seanca e radhës u caktua që të mbahet gjatë muajit nëntor.
Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Gazmend Bahtiri – kryetar dhe anëtarët Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arrni, ndërsa prokuror i kësaj çështje është Valdet Gashi.
Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t`u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.
Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.
Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.
Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.
Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.
Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave
“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK .