Ilustrim

Mungesa e mbrojtjes, shtyhet gjykimi ndaj ish gjyqtarit Sali Berisha

Mungesa e mbrojtësit kryesor shtyn gjykimin në rastin e ish gjyqtarit Sali Berisha i akuzuar për marrje ryshfeti dhe armë pa leje.

Kryetari i trupi gjykues Mentor Bajraktari tha që për një mungesë të tillë ishte njoftuar me email nga ana e mbrojtësit të Sali Berishës, Besnik Berisha.

“Besniku i cili sot përmes emalit gjykatën e ka njoftuar se për shkak të një urgjence lidhur me komplikimet e gjendjes shëndetësore të një anëtari të familjes e ka të pamundur me prezantu në këtë seancë”- tha Bajraktari.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për datën 13 dhjetor.

Kujtojmë që në qershor të viti 2021, Gjykata e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria, ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

Të pa kënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, Sali Berisha, përmes mbrojtësit të tij kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç ‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryej vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar.