Ilustrim - Një mbledhja e KGJK-së

Mungesa e gjyqtarëve, përkthyesve dhe çështja e pagës përmenden si pengesa në departamentit special të Gjykatës së Prishtinës

Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit si dhe Gjykatës së Prishtinës, raportuan para anëtarëve të Këshillit Gjyqësor lidhur me raportin e punës për periudhën prill – qershor 2022.

Për punën e departamentit special të Gjykatës së Prishtinës, raportin e punës për tremujorin e dytë të këtij viti e prezantoi edhe Valon Kurtaj, udhëheqës i këtij departamenti.

Kurtaj tha se është e nevojshme që të bëhet një analizë e gjendjes për të parë nevojën e këtij departamenti sa i përket aspektit të numrit të gjyqtarëve.

“Në departamentit special fillimisht kanë qenë 6 e pastaj edhe 12, mirëpo tash nuk i kemi 12 në funksion, kërkesë do të jetë që të bëhen 12, apo të bëhet një analizë për të parë se a ka nevojë që të rritet ky numër i gjyqtarëve apo jo, të mos bëhen kërkesa pa e pasur një analizë për të parë nevojat dhe kapacitetet” – tha Kurtaj.

Sa i përket prolongimit të çështjeve gjyqësore, Kurtaj tha se për shkak se ky departament gjykon lëndë që janë më komplekse dhe për shkak edhe të pandemisë dhe masave që janë ndërmarrë më pas për mbrojtjen nga pandemia, shumë çështje janë prolonguar.

“Në 2020 kemi pasur shumë të akuzuar, shumë palë e dëshmitarë dhe nuk kemi mundur t’i kalojmë kriteret që i ka vendosur ministria e shëndetësisë dhe instituti kombëtar i shëndetit publik, kështu që një pjesë e madhe e çështjeve janë prolonguar, stopuar nuk kemi mundur me i vazhdu. Në vitin 2022 i kemi vazhdu, duke e ditur që këto janë çështje shumë komplekse me shumë të akuzuar dhe shumë dëshmitarë merr kohë për të arritur një epilog” – tha Kurtaj.

Udhëheqësi i departamentit special të Gjykatës së Prishtinës, Valon Kurtaj, tha se ky departament u ka dhënë përparësi lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe lëndëve të shënjëstruara. Sipas tij mbi 90% e këtyre lëndëve janë në proces gjyqësor dhe disa prej tyre janë afër përfundimit.

Kurtaj përmendi edhe çështjen e konfiskimit për çka deklaroi se i kanë dhënë prioritet.

Sa i përket ngarkesës me lëndë, Kurtaj tha se në vitin 2021 dhe 2022 një numër i madh i lëndëve janë transferuar nga departamenti i krimeve të rënda, për shkak të kësaj ai tha se është rritur numri i lëndëve komplekse, lëndë këto për të cilat tha se kanë shumë punë dhe që duhet të trajtohen brenda një periudhë më të gjatë.

Sa i përket lëndëve të pranuara dhe të përfunduara deri në tremujorin e dytë të vitit 2022, Kurtaj raportoi se në bazë të statistikave janë 33 lëndë të raportuara për vitin 2022 dhe 33 lëndë të përfunduara. Prej tyre 10 lëndë tha se janë të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe 11 lëndë të shënjestruara, kurse lëndë të përfunduara të pastrimit të parasë tha se janë tri.

Në bazë të një statistike, Kurtaj deklaroi se departamenti special ka mbi 80% të lëndëve të vërtetuara nga Gjykata e Apelit.

Si sfida të këtij departamenti Kurtaj përmendi mungesën e gjyqtarëve, çështjen e mungesës së përkthyesve dhe çështjen e pagës.

Kurtaj ngriti shqetësimin lidhur me shtesën në pagë të cilën tha se e gëzojnë prokurorët e Prokurorisë Speciale për dallim nga gjyqtarët e departamentit special të Gjykatës së Prishtinës të cilët nuk e pranojnë. Sipas Kurtaj, duhet që të shikohet çështja e balancimit të punës së gjyqtarëve të departamentit special dhe prokurorëve special në mënyrë që të ketë trajtim të barabartë e të arsyeshëm.

Në këtë takim, anëtarët e KGjK-së miratuan edhe propozimin për caktimin e nënkryetares së Gjykatës së Apelit, gjyqtaren Kadrije Goga – Lubishtani si dhe propozimin për caktimin e nënkryetares së Gjykatës Themelore në Prizren, gjyqtaren Raima Elezi.

Mbledhja e Këshillit do të vazhdojë edhe nesër me trajtimin e temave të tjera.