Prizren

Mosmarrëveshja në komunikacion, 3 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasje në tentativë

Gjykata e Prizrenit e ka gjetur fajtor të akuzuarin Lekë Veseli, për veprën penale vrasje në tentativë.

Lekë Veselit gjatë ditës së enjte, iu shqiptua dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh për vrasje në tentativë kurse për veprën penale armëmbajtje pa leje iu shqiptua gjobë në vlerë 300 euro.

I njëjti paraprakisht kishte pranuar fajësinë për veprat në fjalë.

Në procesverbalin e seancës, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, i akuzuari gjithashtu obligohet të paguajë 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit.

Me shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Lekë Veseli, gjykata ka ndërprerë masën e paraburgimit në të cilën gjendej nga data 10 janar 2022.

Sipas prokurorisë, më 10 janar 2022, në Prizren, si rezultat i ngarkesës së trafikut rrugor ku ishte krijuar kolonë e veturave, i akuzuari kishte ndalur automjetin duke biseduar me një kalimtar rasti me ç’rast viktima ishte i rreshtuar pas veturës së të pandehurit, i kishte rënë borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën.

Aktakuza më tej përshkruan se në atë moment i pandehuri Lekë Veseli kishte dalë nga automjeti, i ishte afruar viktimës dhe kishte filluar të fjaloset me të. Në fjalosje e sipër, i pandehuri ishte kthyer në automjetin e tij, e kishte marrë një pistoletë në dorë dhe sërish ishte kthyer tek vetura e viktimës.

“Fillimisht me dorezën e pistoletës e godet viktimën në kokë, me ç’rast ky i fundit i vërsulet të njëjtit duke tentuar t’ia tërheq pistoletën nga dora dhe në atë moment i pandehuri shkrep një herë me pistoletë duke e plagosur viktimën në këmbën e tij të majtë, derisa viktima, ndonëse i plagosur, vazhdon t’ia mbajë duart të njëjtit për të mos shkrepur edhe më tej”, thuhet në aktakuzë.

Më tej thuhet se policia ka arritur në vendin e ngjarjes me ç’rast edhe e ka arrestuar të akuzuarin.