Moslejimi i zyrtarëve për informim për qasje në programin SMIL- pengesë në rritjen e transparencës
Prej dy viteve në Sistemin Gjyqësor e atë Prokurorial është instaluar Sistemi i Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL).
Qëllimi i projektit SMIL është konsolidimi i mëtejmë i një sistemit gjyqësor dhe prokurorial më transparent, llogaridhënës dhe të besueshëm.
Përmes këtij sistemi krijohen lehtësira sa i përket afateve kohore më të shkurta e të shpejta në zgjidhjen e lëndëve, e menaxhim të statistikave të sakta dhe me kohë.
Aktgjykimet e nxjerra nga gjykatësit futen në sistemin SMIL, në mënyrë që në rast se ato dokumente publike kërkohen, të nxjerrën në mënyrë automatike nga ky sistem përmes identifikimit të numrit të lëndëve.
E njëjta situatë paraqitet edhe me aktakuzat që i pranojnë gjykatat nga prokuroria.
Por qasje në SMIL nuk i është lejuar zyrtarëve për informim në Gjykatat e Kosovës.
Duke pas parasysh rëndësinë e pozitës që ata mbajnë, karshi informimit të drejtë të mediave dhe qytetarëve, mos lejimi i tyre për qasje në projektin SMIL po krijon vështirësi e procedura të zgjatura, deri të sigurimi i aktgjykimit e dokumenteve të tjera, e në anën tjetër në mënyrë të drejtpërdrejt edhe kufizim të transparencës.
E tëra kjo, pas parasysh obligimin për kthimin e kërkesave që u adresohen për qasje në dokumente publike.
Në një situatë të tillë kërkesat që u adresohen zyrtarëve për informim në gjykata, duhet të drejtohen nga ta te gjykatësit, e këta të fundit përmes SMIL të nxjerrin dokumentet, e t’i dorëzojnë të zyrtarët për informim.
KALLXO.com për këtë situatë ka kërkuar përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Këshilli në përgjigjen e tyre kanë thanë se profilet e përdoruesve dhe nivelet e qasjes së tyre janë të përcaktuara me rregullore për përdorimin e SMIL-it, të aprovuar në KGjK, e që kjo është përcaktuar nga grupet punuese që kanë punuar në këtë proces.
Sipas tyre arsyetimi për të mos paraparë qasje për zyrtarët e informimit ka qenë se zyrtarët për informim çdo përgjigje që duhet të japin, duhet ta japin pas konsultimeve me kryetar të gjykatës.
“Për më shumë, krejt kjo është përcaktuar për të evituar ndonjë situatë të padëshirueshme dhe se është konsideruar se në këtë fazë është e parakohshme lejimi i qasjes për zyrtarët për informim”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
Trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike është një prej detyrave që kanë zyrtarët për informim pranë gjykatave të Kosovës, e që moslejimi i tyre për qasje në SMIL, po paraqet vështirësi dhe zvarritje në kuptimin e përmbushjes së obligimit për informim të publikut.
Kështu përkundër asaj që Ligji për Qasje në Dokumente Publike ka paraparë afatet brenda të cilave duhet të kthehet përgjigje në kërkesën e pranuar, këto kërkesa nuk trajtohen gjithmonë brenda afatit, e ka raste që nuk trajtohen fare.